Forcat ruse kanë vazhduar të bombardojnë infrastrukturën dhe ndërtesat civile në Ukrainë, teksa luftimet në pjesën lindore kanë vazhduar edhe të martën, kanë thënë zyrtarë ushtarakë dhe rajonalë.

Disa burime në Uashington kanë thënë se Shtetet e Bashkuara do të bëjnë të ditur ndihmë të re për Ukrainën, sidomos për rregullimin e infrastrukturës së energjisë, e cila është dëmtuar rëndë në javët e fundit si pasojë e sulmeve ruse.

Qyteti i Dnjipros ka qenë shënjestër e sulmeve të natës së mbrëmshme, ka thënë guvernatori i rajonit Dnjipropetrovsk, Valentyn Reznichenko.

“Fabrikat e prodhimit janë shkatërruar. Ka pasur zjarr”, ka thënë ai, ndonëse nuk ka raportime për të plagosur.

Forcat ushtarake ruse janë tërhequr nga rajoni i Lumit Dnjepër më herët gjatë këtij muaji, mirëpo kanë vazhduar të bombardojnë qyteza, fshatra dhe qytetin e Hersonit nga lokacionet e afërta.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, u ka bërë thirrje banorëve që të bëhen gati për ndërprerje të energjisë, teksa temperaturat sa shkojnë e ulen me afrimin e stinës së dimrit.

Lufta në Ukrainë ka nisur më 24 shkurt.

Presidenti rus, Vladimir Putin, e konsideron luftën si “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.

Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra.

Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre./REL