Atalanta-Napoli është një nga sfidat më interesante të javës në Seria A, pasi sonte vendoset një copëz titulli. Ndërkohë Milan do ketë mundësinë e artë për t’u rikthyer te fitoret, pasi pret në San Siro Spezian, ndërsa në La Liga Almeria do sfidojë Barcelonën në ‘Camp Nou’. Është java e 13 e kampionatit, por sot në Seria A luhet një copëz e titullit. Kjo sepse përballen Napoli me Atalanta-n, ekipet që renditen i pari dhe i dyti në kampionat. Për të besuarit e Spaletti-t është mundësia e arratisjes, ndërsa për bergameskët shansi i artë për të ngushtuar diferencën e pesë pikëve. Para sfidës të dy trajnerët kanë folur me superlativa për ekipet e njëri-tjetrit, ndërsa ra në sy krahasimi që Spaletti bëri mes Atalanta-s dhe Liverpool-it. Lajmi jo i mirë për Napolin është se pak orë para ndeshjes humbi ‘yllin’ gjeorgjian Kavaratskhelia, ndërsa dihet që Muriel te ekipi i Gasperinit rikthehet në 2023.

Ndërkohë po mbrëmjen e sotme, në orën 20:45, Milan do të presë në San Siro Spezia-n me qëllimin për t’u kthyer te fitoret pas humbjes me Torinon. Duke parë se në orën 18:00 përplasen Atalanta me Napolin kjo për Milanin është një mundësi e artë për të rikuperuar pikë. Madje kjo situatë vjen pak ditë pasi siguroi kualifikimin në fazën me eliminim direkt në Champions League.