Juventusi mposhti Veronën me rezultat minimal, mes drithërimave, duke marrë fitoren e pestë radhazi që i projekton bardhezinjtë në zonën e Champions League. Një sukses i vogël i arritur mes polemikave dhe tensionit të madh, që kualmuan në fundin e ndeshjes. Janë bërë ‘virale’ pamjet e Massimiliano Allegrit, pak para bilbilit të trefishtë.
Trajneri toskan, gjatë goditjes së lirë për vendasit në minutën e 92-të, të ekzekutuar nga Verdi, u përjetësua nga kamerat duke parë poshtë dhe me duar të shtrënguara afër fytyrës, pothuajse në lutje.
Lehtësimi i tij ishte i dukshëm kur gjuajtja e lojtarit të Veronës shkoi lart, mbi traversë, duke dekretuar fitoren e bardhezinjve. Pamjet u bënë menjëherë ‘virale’ dhe ndihmuan që trajneri toskan të afrohej me disa prej tifozëve, të cilët pas disa muajsh kritikash vlerësuan pasionin e trajnerit livornez.
Krahasuar me sezonin e kaluar, Juventusi ka 7 pikë më shumë (8 fitore, 4 barazime dhe 2 humbje), ka shënuar më shumë gola (21 kundrejt 18) dhe mbi të gjitha ka një mbrojtje të hekurt (vetëm 7 gola të pësuar në 14 ndeshje kundrejt 16 të sezonit të kaluar).