Spanja mbetet një nga Kombëtaret favorite për fitimin e Botërorit Katar 2022, edhe pse të shumtë janë ata që po e nënvlerësojnë skuadrën e Luis Enrique-s. “La Roja” janë pjesë e grupit E bashkë me Gjermaninë, Japoninë dhe Kosta Rikën. Sfida e parë do të luhet ndaj këtyre të fundit të mërkurën e 23 nëntorit (17:00).
Trajneri Luis Enrique ka bërë një premtim për tifozët nëse djemtë e tij arrijnë të dërgojnë trofeun e Kupës së Botës në shtëpi për herë të dytë në histori. “Nëse fitojmë Botërorin, nuk do të qethem zero, pasi gruas time nuk i pëlqen një gjë e tillë, por ndoshta do të lyej flokët ose do të bëj një piercing“, deklaroi 52-vjeçari nga Gijoni.
Rreth trajnerit të kombëtares iberike ka folur edhe Ferran Torres, lojtari ofensiv i Barcelonës. “Ai është një trajner i madh, i mbron shumë futbollistët e tij. Luis ka marrë disa kritika, por di si t’i menaxhojë situata të tilla.
Do të shijojmë një sfidë të bukur ndaj Gjermanisë. Ata do të kërkojnë hakmarrjen, pasi ne i mundëm 6-0 në Nations League. Idhulli im? David Villa. Unë kam ëndërruar të jem si ai që fëmijë”, theksoi 22-vjeçari – autori i 13 golave me Spanjën – i cili është gati të luajë Botërorin e parë në karrierë.