Nga Yanis Varoufakis*
Elon Musk kishte arsye të mira për t’u ndier mjaftueshëm i papërmbushur për të blerë Twitterin për 44 miliardë dollarë. Kishte qenë pionier i pagesave online, kishte përmirësuar industrinë e makinave, kishte revolucionarizuar udhëtimin në hapësirë dhe madje kishte eksperimentuar me ndërveprime ambicioze tru-kompjuter. Arritjet e tij të fundit teknologjike e kishin bërë atë sipërmarrësin më të pasur në botë. Për fat të keq, as arritjet dhe pasuria e tij nuk i dhanë atij hyrjen në klasën e re sunduese të atyre që shfrytëzojnë fuqitë e kapitalit të bazuar në renë kompjuterike. Twitteri i ofron Musk shans për të bërë ndryshime.
Që nga agimi i kapitalizmit, pushteti buronte nga zotërimi i mallrave kapitale; motorët me avull, furrat Bessemer, robotët industrialë, etj. Sot, është kapitali i bazuar në “cloud”, ose shkurt kapitali “cloud”, ai që u jep pronarëve të tij fuqi deri tani të paimagjinueshme.
Mendoni për Amazonin, me rrjetin e tij të softuerit, harduerit dhe depove – dhe pajisjen Alexa të vendosur në banakun tonë të kuzhinës dhe ndërlidhet drejtpërdrejt me ne. Përbën sistem të bazuar në “cloudin” kompjuterik të aftë për të hetuar emocionet tona më thellë se çdo reklamues ndonjëherë. Përvojat e saj të krijuara sipas dëshirës shfrytëzojnë paragjykimet tona për të prodhuar përgjigje. Më pas, prodhon përgjigjet e veta ndaj përgjigjeve tona – të cilave ne u përgjigjemi përsëri, duke trajnuar algoritmet e të mësuarit përforcues, të cilat shkaktojnë një valë tjetër përgjigjesh.
Ndryshe nga kapitali tokësor ose analog i modës së vjetër, i cili zbret në mjete të prodhuara për prodhimin e gjërave që dëshirojnë konsumatorët, kapitali cloud funksionon si mjet i prodhuar për të modifikuar sjelljen tonë në përputhje me interesat e pronarëve të tij. I njëjti algoritëm që funksionon në të njëjtin labirint të fermave të serverëve, kabllove me fibër optike dhe kullave të telefonave celularë kryen mrekulli të shumta të njëkohshme.
Mrekullia e parë e kapitalit “cloud” është të na bëjë të punojmë falas për të rimbushur dhe përmirësuar stokun dhe produktivitetin e tij me çdo tekst, rishikim, foto ose video që krijojmë dhe ngarkojmë duke përdorur ndërveprimet e tij. Në këtë mënyrë, kapitali cloud ka kthyer qindra miliona prej nesh në bujkrobër të “cloudit” – prodhues të papaguar, duke munduar pronat digjitale të pronarëve dhe duke besuar, si fshatarët që besonin në feudalizëm, se puna jonë (krijimi dhe shpërndarja e fotove dhe opinioneve tona) është pjesë të karakterit tonë.
Mrekullia e dytë është aftësia e kapitalit “cloud” për të na shitur objektin e dëshirave që na ka ndihmuar t’i rrënjosim brenda vetes. Amazon, Alibaba dhe imituesit e tyre të shumtë të tregtisë elektronike në çdo vend mund të duken në sy të patrajnuar si tregje të monopolizuara, por ato nuk janë asgjë si treg – madje as një treg digjital hiper-kapitalist. Edhe në tregjet që janë të mbyllura nga një firmë apo person i vetëm, njerëzit mund të ndërveprojnë në mënyrë të arsyeshme. Në të kundërt, sapo të hyni në një platformë si Amazon, algoritmi ju izolon nga çdo blerës tjetër dhe ju ushqen ekskluzivisht me informacionin që pronarët e tij duan që ju të keni.
Blerësit nuk mund të bisedojnë me njëri-tjetrin, të formojnë shoqata ose ndryshe të organizohen për të detyruar një shitës të ulë një çmim ose ta përmirësojë cilësinë. Shitësit, gjithashtu, janë në një lidhje një-për-një me algoritmin dhe duhet të paguajnë pronarin e tij për të përfunduar një tregti. Gjithçka dhe gjithkush ndërmjetësohet jo nga dora e padukshme e çinteresuar e tregut, por nga një algoritëm i padukshëm që funksionon për një person, ose një kompani, në atë që është, në thelb, një “cloud-çifligu”.
Musk është ndoshta i vetmi zot i teknologjisë që kishte parë i pafuqishëm nga një skaj marshimin triumfues të këtij tekno-feudalizmi të ri. Kompania e tij e makinave “Tesla” përdor “cloudin” me zgjuarsi për t’i kthyer makinat e saj në nyje në rrjetin digjital që gjeneron të dhëna të mëdha dhe lidh drejtuesit me sistemet e Musk. Kompania e tij e raketave SpaceX dhe tufa e saj e satelitëve me orbitë të ulët që tani ndotin periferinë e planetit tonë, kontribuojnë ndjeshëm në zhvillimin e kapitalit të “cloudëve” të magnatëve të tjerë.
Por Musk? Në mënyrë zhgënjyese për foshnjën e tmerrshme të botës së biznesit, atij i mungonte një portë për në shpërblimet gjigante që mund të sigurojë kapitali i cloud. Deri më tani: Twitter mund të jetë porta që mungon.
Menjëherë pasi mori përsipër dhe u shpall “Shefi Twit”, Musk pohoi angazhimin e tij për të mbrojtur Twitterin si “sheshin publik” ku debatohet çdo gjë dhe gjithçka. Ishte taktikë e zgjuar, e cila me sukses tërhoqi vëmendjen e publikut drejt një debati të pafund global nëse bota duhet t’i besonte forumin e saj më të shkurtër të një magnati me një histori të lojës së shpejtë dhe të lirë me të vërtetën në të njëjtin forum.
Komentariati liberal është i shqetësuar për rikthimin e Donald Trumpit. E majta po shqetësohet për ngritjen e një versioni teknologjik të Rupert Murdochut. Njerëz të mirë të të gjitha pikëpamjeve po vënë në pah trajtimin e tmerrshëm të punonjësve të Twitterit. Dhe Musk? Ai duket se po e mban syrin te topi: Në një postim, ai rrëfeu ambicien e tij për ta kthyer Twitterin në “aplikacion për gjithçka”.
Sipas përkufizimit tim, një “aplikacion për gjithçka” nuk është asgjë më pak se një portë hyrëse në kapitalin cloud që lejon pronarin e saj ta modifikojë sjelljen e konsumatorit, të nxjerrë punë falas nga përdoruesit e kthyer në “robër cloudi” dhe, së fundi, por jo më pak e rëndësishmja, të ngarkojë shitësit me formë të qirasë së “cloud” për të shitur mallrat e tyre. Deri më tani, Musk nuk ka zotëruar asgjë që mund të evoluojë në një “aplikacion për gjithçka” dhe nuk kishte asnjë mënyrë për ta krijuar një të tillë nga e para.
Përderisa ai ishte i zënë duke punuar se si t’i bënte të dëshirueshme makinat elektrike të prodhuara në masë dhe të përfitonte nga pushtimi i hapësirës, Amazon, Google, Alibaba, Facebook dhe WeChat i Tencent po i mbështillnin tentakulat e tyre fort rreth platformave dhe ndërveprimeve me potencialin e “aplikacionit për gjithçka”. Vetëm një ndërveprim i tillë ishte në dispozicion për blerje.
Sfida e Muskut tani është të përmirësojë kapitalin cloud të Twitterit dhe ta lidhë atë me rrjetin e tij ekzistues Big Data, ndërkohë që e pasuron vazhdimisht atë rrjet me të dhëna të mbledhura nga makinat Tesla që përshkojnë rrugët e Tokës dhe satelitë të panumërt që përshkojnë qiejt e saj. Duke supozuar se ai mund të mbajë nervat e fuqisë punëtore që ka mbetur në Twitter, detyra e tij e radhës do të jetë të eliminojë robotët dhe të eliminojë trollët në mënyrë që “Twitteri i Ri” të dijë dhe të zotërojë identitetet e përdoruesve të tij.
Në një letër drejtuar reklamuesve, Musk vuri në dukje saktë se reklamat e parëndësishme janë “spam”, por ato përkatëse janë përmbajtje. Në këto kohë tekno-feudale, kjo do të thotë se mesazhet që nuk mund të modifikojnë sjelljen janë të padëshiruara, por ato që ndikojnë në atë që njerëzit mendojnë dhe bëjnë janë e vetmja përmbajtje që ka rëndësi: fuqia e vërtetë.
Si një feud privat, Twitter nuk mund të ishte kurrë sheshi publik i botës. Kjo nuk ishte kurrë thelbi. Pyetja me vend është nëse do t’i japë pronarit të saj të ri anëtarësim të sigurt në klasën e re sunduese tekno-feudale.
*Yanis Varoufakis, ish-ministër i Financave i Greqisë, është lider i partisë MeRA25 dhe profesor i ekonomisë në Universitetin e Athinës. Vështrimi është shkruar për rrjetin botëror të gazetarisë, “Project Syndicate”, pjesë e të cilit është edhe “Koha Ditore”. Përktheu: Gent Mehmeti