Trajneri i Kombëtares U-21, Alban Bushi, ka shpallur listën me emrat e 24 lojtarëve të ftuar për dy miqësoret e muajit nëntor, që do të luhen që të dyja në transfertë.
Miqësorja e parë San Marino U21 – Shqipëri U21, që do të luhet më datë 16.11.2022 në stadiumin kombëtar të San Marinos duke nisur nga ora 18:00 si edhe miqësorja Mal i Zi U21 – Shqipëri U-21, që do të luhet më datë 20.11.2022 në stadiumin “Gradski” në Podgoricë duke nisur nga ora 13:00.
Tekniku i kuqezinjve ka ftuar për këto dy teste elementët më të spikatur që kanë luajtur rregullisht me ekipet kombëtare të moshave e që mund të përbëjnë boshtin kryesor të skuadrës që do të marrë pjesë në eliminatoret e ardhshme të Kampionatit Europian për grup-moshën U-21. Më shumë se gjysma e lojtarëve që janë në këtë listë aktivizohen në klube të huaja, ndërkohë që nuk mungojnë edhe lojtarë të spikatur të kampionatit shqiptar.
Trajneri Bushi është kujdesur për t’u dhënë mundësinë edhe disa lojtarëve që janë në moshë më të vogël, por që paraqesin një potencial të madh dhe kanë treguar se janë të gatshëm për të luajtur me grup-moshën U-21. Bëhet fjalë për emra që kanë luajtur më parë me moshat kuqezi e të cilët janë evidentuar prej kohësh nga stafet teknike të moshave kuqezi si Eljon Toçi, Renaldo Torraj, Simon Simoni, Arion Pajaziti apo Behar Ismajli.
Më përfundimin e eliminatoreve të Europianit pak muaj më parë, Kombëtarja tashmë është në proces rinovimi pasi një pjesë e mirë e lojtarëve që ishin pjesë e grupit në edicionin e fundit kanë kaluar moshën dhe do të zëvendësohen nga lojtarë që vijnë nga ekipet Kombëtare U-19, U-18 e U-17.
Në muajin shtator Kombëtarja U-21 zhvilloi dy miqësore ndaj Maqedonisë së Veriut dhe Kroacisë, me të dyja ndeshjet që u luajtën në Kroaci e ku stafi teknik testoi shumë elementë të spikatur të grup-moshave U20, duke marrë përshtypje të mira për shumë prej tyre.
Më poshtë edhe lista me emrat e 24 lojtarëve të ftuar për dy miqësoret ndaj San Marinos U-21 dhe Malit të Zi U-21: