Nga Plator Nesturi
Që shqiptarët janë kokëfortë dhe i shkojnë drejt pa llogarit pasojat kjo nuk është diçka e re. Por që me kaq kokëfortësi të veprojnë edhe politikanë që janë prej 30 vitesh karrierë e që duhet të quhen profesionistë, kjo është shumë më alogjike dhe me pasoja. Të tilla pasoja që fatkeqësisht nuk ndikojnë thjesht tek imazhi apo karriera personale sesa tek djegia e etapave për forcat e tyre politike dhe aventurizmi që përcjell tek masa e gjerë e anëtarëve, militantëve dhe mbështetësve. Një paradoks tragjik ky që kulmoi me pasojat dhimbshme të vitit 1997 por që si model nuk po i ndahet realiteteve politike.
Vendimi kontrovers i Rithemelimit për zhvilluar një protestë në të njëjtën ditë të Samitit në Tiranë ku priten të jenë prezent krerët e shteteve të BE-së, u duk së pari si lajthitje e çastit dhe nga ku do të gjendej një rrugëdalje për të dalë nga qerthulli i figurës së idiotit të çartur. U mendua se grupi rrotull tij do të bënte aq trysni sa për ti kujtuar Berishës se boll, nuk duhet shkuar më tej. Por Berishës duket se askush nuk guxon t’i thotë gjë, ndaj dhe kokëfortësia vijoi më tutje. Në të kundërt të kësaj, tashmë janë detyruar të përsëritin kasetën në studio televizive se PD nuk ka asgjë kundër Samitit, por thjesht kërkon të ngrejë zërin për korrupionin e qeverisë. Goxha hall. Hall për atë që ka nisur këtë aksion paradoksal dhe hall për idhtarët që po i djegin jorganin partisë për hir të hallexhiut. Këtu nuk kanë vlerë idetë për mikpritjen shqiptare dhe që miku duhet respektuar.
Në fund të fundit kjo ka kuptim në bashkësi shqiptarësh, pasi për një të huaj kjo nuk ka të njëjtin konotacion. Edhe pa këtë arësye shqiptareske, sërish kjo protestë nuk ka sens. Çështja është se organizimet kundër samiteve ndërkombëtare bëhen nga lëvizje populiste, si ambientalistët apo antiglobalistët. Nuk është parë kurrë që një parti politike, aq më tepër një parti tradicionale dhe me peshë parlamentare, të organizojë protesta kundër një Samiti me shtetarët më të lartë rapresentativë të shteteve. Ndaj nëse do të kufizoheshim me kaq, meqë e kanë bërë dyst kaproqen e ti shkojnë ne fund, atëherë në PD të ndajnë mendjen nëse janë populistë apo janë politikanë profesionistë. Se të dyja nuk mund të bëhen dot.
Më shërbim se po i bëhet maxhorancës nga kokëfortësia e një vendimi të nxituar, as mund të imagjinohet. Jo vetëm se do nxijnë më keq imazhin te ndërkombëtarët si një opozitë e shfazuar por dhe pse këtë tam tam tallës të maxhorancës për humbjen e logjikës të së djathtës, do e dëgjojmë për shumë kohë, ashtu siç lozet me ariun me xhinxhir në hundë që kërcen nën ritmin e defit. Dhe sdo kish faj ta bënte. Imagjino se çdo të bënte Berisha vetë nëse këtë lajthitje ta bënte një PS në opozitë. Përshembull nëse do kish marrë koka erë që PS të bënte protestë kundër korrupsionit të Berishës gjatë ditës kur vizitonte Shqipërinë Presidenti i SHBA, Bush. Do të akuzohej direkt për antiamerikanizëm.
E vetmja logjikë pse mund të bëhet një protestë në ditën e Samitit është pse PD-së i janë prerë rrugët nga ndërkombëtarët, nuk ka komunikim me ta, e me këtë rast kjo mund të ish e vetmja rrugë që të dëgjohen. Pra nëpërmjet protestës. Por atëherë krerët e Rithemelimit duhet të pranojnë hapur këtë. Që PD-së i janë mbyllur rrugët, që faktori ndërkombëtar e ka nxjerrë jashtë liste si lëvizje e kapur nga Non Grata, dhe që ka mbetur një aktor jo relevant politik. Arësyetimet e tjera janë thjesht përralla Katallanësh dhe pa lidhje logjike. Një parti politike dhe në protestat e aksionet politike që bën, kërkon të amplifikohet në elektorat duke i trasmetuar qytetarit se është alternativë pushteti. Nëse këtë nuk arrin ta përcjellësh dot tek qytetari vendas që i kërkon votën, një protestë me ndërkombëtarë të nxjerr më gallof dhe zbulon më shumë se sa pa ide operon kjo opozitë.
Kokëfortësia në fakt nuk i ka dalë për hajër askujt. Opozita vetë e di më mirë këtë. Edhe kur i është thënë mos dorëzo mandatet, ka vijuar kokëfortë të kundërtën. Edhe kur i është këshilluar të mos braktisë zgjedhjet, ka përplasur kokën në mur pa hezitim. Më vonë ka kërkuar ndjesë duke pranuar se kish bërë gabim. Nuk do të jetë aspak çudi që më vonë, pasi ta ketë bërë proçkën e rradhës, ta pranojë se vërtet ka vepruar gabim. Por çe do. Këta nuk dinë as të dëgjojnë, as të mbajnë shënim kur u thua: Mos e bëj o trim.