Kreu i PD-së Sali Berisha ka dalë sot në bashkëbisedimin e përjavshëm me gazetarët një ditë para protestës së opozitës. Berisha ka dhënë një mesazh për policinë për të mos revoltuar protestuesit dhe t’i lejojë të ushtrojnë të drejtën e tyre kushtetuese.
“Mesazhi im është mos revoltoni protestuesit, kaq është. Ata vijnë në të drejtat e tyre kushtetuese. Vijnë të provokuar në shkallën më të lartë nga një njeri që po ua dëbon fëmijët dhe njerëzit nga shtëpitë e tyre, po i vjedh dhe plaçkit çdo ditë. Kaq është mesazhi im. Asgjë s’mund të zvogëlojë dimensionet e protestës që do jetë nesër”.
“Po, ju kam deklaruar se opozita është në protestë, populli opozitar është në protestë kundër kësaj qeveri dhe populli opozitar do të përdorë të gjitha metodat e mosbindjes civile dhe do shpallë moton e tij në protestë sepse ne nuk mund të pajtohemi kurrë me shpërbërjen e kombit shqiptar nga konfiskimi i lirive të shqiptarëve nga një qeveri lidhur kryekëput me krimin, drogën, vjedhjen, mashtrimin. Ne e kemi shumë seriozisht këtë betejë. Kemi pasur një periudhë që kemi pasur probleme organizimi, riorganizimi, kemi primaret të cilat po ecin shumë mirë dhe që do i vazhdojmë me vendosmërinë më të madhe, por nga ana tjetër kemi armikun e votës dhe të lirive. Me të ne do përballemi siç e meriton”, deklaroi Berisha.
I pyetur për orarin e protestës, teksa Policia ka njoftuar se ka dhënë leje vetëm për dy orë, Berisha tha se do të vazhdojë sa të dojë populli opozitar.
“Policia në interesin e saj më të mirë të mos bëhet mercenare e Edi Ramës, këtë i them policisë. Ka kushtetutë, protestuesit janë fuqia absolute korale e vendit, mjerë ai që i prek. Sa të dojë populli opozitar, sa t’i teket popullit opozitar, ai nesër është sovrani i Shqipërisë”, tha kreu i PD.
Ndër të tjera Berisha tha se nesër protestën e udhëheq populli opozitar, të cilit i bashkohen edhe partitë. “Bashkëpunimi me çdo opozitar është i vetëkuptueshëm. Janë momentet këto kur sovrani del mbi partitë. Të themi atë që është. Nesër në protestë vërshon populli opozitar. Të gjitha partitë opozitare e gjejnë veten aty. Nesër Shqipërinë e udhëheq populli opozitar”, përfundoi Berisha.