Shefi i NATO-s Jens Stoltenberg mbajti këtë të mërkurë një konferencë për shtyp në lidhje me incidentin e ndodhur në Poloni, ku një raketë e lëshuar në një fshat afër Ukrainës vrau dy persona.

Stoltenberg deklaroi se “ka gjasa” që incidenti të jetë shkaktuar nga aktiviteti i sistemeve të mbrojtjes ajrore të Ukrainës – duke i bërë jehonë pikëpamjes së presidentit polak.

Por shefi i NATO-s shtoi se e ka të qartë se “Rusia mban përgjegjësinë përfundimtare teksa vazhdon luftën e saj të paligjshme kundër Ukrainës”.

“Nuk ka “indikacione” se shpërthimi i raketës në Poloni ishte rezultat i “një sulmi të qëllimshëm. Nuk ka asnjë indikacion se Rusia po përgatit veprime ushtarake sulmuese kundër NATO-s,” tha ai.

Më tej Stoltenberg shtoi se hetimet në lidhje me rastin janë duke vijuar dhe duhet pritur përfundimi i tyre.

Stoltenberg u pyet dhe nëse shpërthimi në Poloni përfaqësonte një dështim të mbrojtjes ajrore të NATO-s.

Ai tha se goditja e raketës nuk kishte “karakteristikat” e një sulmi, gjë që “shpjegon pse veprimet ishin ato që ishin”, duke përsëritur se provat paraprake sugjerojnë se shpërthimi ishte shkaktuar nga një raketë e mbrojtjes ajrore ukrainase.