Shqipëria dhe Italia do të kenë ndeshje miqësore mbrëmjen e sotme në orën 20:45 në stadiumin ‘Air Albania’. Për këtë, policia e Tiranës ka hartuar një plan masash ku përfshihet bllokimi i akseve rrugore gjatë kalimit të tifozëve, nga ora 18:00 deri në përfundim të aktivitetit.
Rrugët që do të bllokohen janë: rruga “Lekë Dukagjini”, përreth stadiumit; rruga “Dervish Hima”; rruga “Gjergj Filipi”; rruga “Papa Gjon Pali II”, nga kryqëzimi me rrugën “Ismail Qemali” deri tek stadiumi “Air Albania” dhe bulevardi “Dëshmorët e Kombit”.
Sheshi “Nënë Tereza” nuk do të ketë bllokime të lëvizjes. Policia do të garantojë lëvizjen e tifozëve përgjatë rrugëkalimeve të përcaktuara dhe nuk do të lejojë grumbullim apo kalim të tifozëve jashtë itinerarit të caktuar.
Po në zbatim të planit të masave, do të ushtrohen kontrolle ndaj tifozëve, para hyrjes në stadium, për sende të kundërligjshme (si armë, sende të forta, bidonë uji, çadra, çelësa metalikë, lëndë piroteknike etj). Çdo tifoz duhet të jetë i pajisur me dokument identifikimi.
Nuk do të lejohen të futen në stadium, persona të papajisur me dokument identifikimi, si dhe fëmijët nën moshën 16 vjeç, të pashoqëruar nga prindi apo kujdestari. Gjithashtu, nuk do të lejohen të futen në stadium tifozët, që në aktivitete të mëparshme sportive, janë të identifikuar nga Policia, si problematikë.