Kombëtarja shqiptare ka mbyllur këtë të hënë ditën e dytë të stëvitjes për ndeshjen miqësore që luan kundër Italisë kampione Europe të mërkurën në ‘Air Albania’. Mesfushori Kristjan Asllani, i cili luan në kampionatin italian e ka këtë një ndeshje speciale. “Normal që do jetë një ndeshje e veçantë për mua, pasi nga mosha 2 vjeç jetoj në Itali. Kam shumë shokë andej dhe shpresoj që të bëjmë mirë. E dimë që do jetë ndeshje shumë e vështirë me Italinë, por do provojmë ti lumturojmë njerëzit tanë,”-u shpreh Kristjan Asllani, futbollist i kombëtares. Asllani është formuar si futbollist te Empoli, por këtë sezon luan me prestigjiozët e Interit, atje ku janë edhe disa futbollistë të kombëtares italiane. I pyetur nëse ata e kanë ngacmuar gjatë kësaj periudhe Asllani përgjigjet: “Jo s’më kanë ngacmuar, por më kanë pyetur kur do luajmë, në çfarë vendi do qëndrojnë ata. Kemi folur shumë për këtë ndeshje dhe mezi po e pres,”-tha Kristjan Asllani, futbollist i kombëtares. Tre ditë pas Italisë, kombëtarja shqiptare e drejtuar nga 77-vjeçari Edy Reja do luajë një tjetër miqësore kundër Armenisë po në ‘Air Albania’.