Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu dhe presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan gjatë një bisede telefonike kanë rene dakort të vazhdojnë punën për të përmirësuar marrëdhëniet izraelito-turke. Të dy udhëheqësit ranë dakord të inaugurojnë një epokë të re në marrëdhëniet midis Turqisë dhe Izraelit. Kjo ishte biseda e tyre e parë pas shume vitesh.

Sipas zyrës presidenciale turke, të dy liderët ranë dakord të mbajnë dhe forcojnë në mënyrë të qëndrueshme marrëdhëniet mes dy vendeve duke u bazuar në respektimin e interesave të ndërsjella. Netanyahu i shprehu Erdogan ngushëllime pas sulmit terrorist të dielën në Stamboll, ku u vranë gjashtë persona.

Që nga kriza e Gazës në vitin 2018, e cila u përshkallëzua pas hapjes së ambasadës amerikane në Jerusalem, të dy vendet nuk kanë pasur ambasadorë në vend. Marrëdhëniet e plota diplomatike u rifilluan këtë verë, nën drejtimin e qeverisë aktuale. Në fund të shtatorit, Yair Lapid ishte kreu i parë i qeverisë izraelite që takoi presidentin turk, në 15 vjet.

Partia “Likud” e Netanyahu doli si forca më e madhe në zgjedhjet parlamentare të 1 nëntorit. Në fundjavë atij iu caktua detyra për të formuar qeverinë e re. Nëse ia del mbanë, do të ishte rikthimi i tij i dytë në postin e kryeministrit. Bisedimet për koalicion janë në zhvillim e sipër.