Udhëheqësit e lartë ushtarakë rusë së fundmi zhvilluan biseda për të diskutuar se kur dhe si Moska mund të përdorte armët bërthamore taktike kundër Ukrainës, duke ngritur shqetësime në Uashington dhe aleatët e tij për një sulm të mundshëm bërthamor.
Sipas shumë zyrtarëve të lartë amerikanë, shkruan New York Times, presidenti Vladimir Putin nuk mori pjesë në bisedime, të cilat u zhvilluan në mes të retorikës së shtuar rreth armëve bërthamore të Rusisë dhe pengesave ushtarake ruse në fushën e betejës, thuhet në raport.
Megjithatë, zyrtarët amerikanë, thanë se nuk kishin parë asnjë provë se rusët po lëviznin armët bërthamore në vend ose po merrnin masa të tjera për një sulm.
Pentagoni vlerëson se Rusia ka një rezervë prej deri në 2000 armë bërthamore taktike, të cilat janë projektuar për t’u përfshirë në fushat e luftës. Asnjë armë bërthamore taktike nuk është në luftë, por ajo mund të vendoset në çfarëdo mënyre, duke përfshirë predha raketore ose artilerie.