MARIGLEN KUME/ Foltoren e selisë së Partisë Demokratike, nënkryetari i kësaj force politike dje nuk e shfrytëzoi për të denoncuar aferën e radhës të qeverisë, por për t’u komunikuar mbështetësve të tij vendimin për të kandiduar për Bashkinë e Elbasanit.

Mbështetjen që i dhanë qytetarët e Elbasanit duke thyer herësin, Boçi duket se ka vendosur t’ua kthejë duke sakrifikuar mandatin e ligjvënësit dhe të garojë për të garuar për bashkinë. “E marr këtë vendim sepse për mua rrugëtimi politik nuk është ngjitje në shkallët e karrierës partiake, por ngjitje në shkallët e përgjegjësisë ndaj qytetarëve. Dhe e konsideroj këtë vendim si një nga vendimet më të rëndësishme të jetës sime politike, por dhe asaj profesionale dhe pse jo të asaj jetës tokësore.

Ky kandidim i imi është përgjegjësi për t’u bashkuar të gjithë brenda PD, përgjegjësi për t’u bashkuar të gjithë si qytetarë e banorë të Elbasanit, të djathtë, gri e të majtë, për të ndërtuar dhe sjellë së bashku në Elbasan një shpresë të re, një besim të ri, pse jo një bashki të re që nuk është më e kryetarit dhe e drejtorëve, por e qytetarëve të saj”, tha Boçi në një konferencë të posaçme për mediat ku nuk nguroi të falënderonte kryetarin e degës atje, Blendi Himçi, dhe kandidatin tjetër potencial Aurel Bylykbashin për konsensusin që kishin gjetur brenda tyre për të dalë me kandidaturë të përbashkët.

Por jo vetëm demokratët që mbështesin Berishën, por duket se Boçi ka marrë edhe dakordësinë e rrymës së demokratëve që nuk i janë bashkuar lëvizjes së liderit historik të PD. Qani Xhafa, i cili do të marrë mandatin e deputetit që lë Boçi tha se do të mbështesë nënkryetarin e PD në garën për bashkinë. Po ashtu, në një reagim për gazetën “Panorama”, pasi Boçi kishte shpallur kandidaturën, kryetari i degës së rrymës së Alibeajt, Eugen Isai, u shpreh se mbështet idenë për të dalë me një kandidaturë në zgjedhje. “Grupimin tjetër unë e artikulova, kam dhe dakordësinë e tyre, nuk është deklaratë formale. Kontaktet tona kanë qenë dhe janë të vazhdueshme, kontaktet e mia personale do jenë të vazhdueshme për të realizuar atë funksionim të të gjitha forcave tona që i kemi pasur dikur, i kemi e do t’i shtojmë që të arrijmë objektivin e fitores në Bashkinë e Elbasanit”, tha Boçi.

DEPUTETËT QË LËNË MANDATIN

Nënkryetari i Partisë Demokratike, Luçiano Boçi, nuk është i vetmi nga ligjvënëset që është treguar i gatshëm që të sakrifikojë mandatin e deputetit për të marrë përgjegjësinë për të garuar për pushtetin lokal. Në kryeqytet kemi një tjetër figurë të rëndësishme në radhët e deputetëve të PD-së, i cili është shprehur i gatshëm të lërë mandatin e deputetit për të garuar për bashkinë e kryeqytetit. Belind Këlliçi ka nisur tashmë takimet në kryeqytet për të bindur fillimisht demokratët që t’i japin votëbesimin për të dalë përballë kryebashkiakut Erjon Veliaj.

Ndërkohë, në Vaun e Dejës, deputeti demokrat i qarkut të Shkodrës, Zef Hila, ka dorëzuar aplikimin për në primare për t’u kërkuar votëbesimin demokratëve që të tentojë të kthejë pushtetin lokal në favor të të djathtëve. Gjithashtu, Bardh Spahia, kryebashkiaku aktual i Shkodrës mësohet se do të refuzojë të marrë mandatin e deputetit që është gati të lërë Zef Hila. Spahia mësohet se do të jetë një nga kandidatët e PD fillimisht në primare dhe nëse merr aprovimin të rikandidojë për Bashkinë e Shkodrës. Ndërkohë, në Kurbin, Elda Hoti, e cila mori mandatin e Mark Markut, ka shpallur gjithashtu kandidaturën për në primare për Bashkinë e Kurbinit.

Igli Cara: Bashkia duhet t’i kthehet qytetarisë

Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Igli Cara, shpalli dje kandidimin për primaret në Bashkinë e Durrësit. Gjatë prezantimit të bërë nga selia blu, Cara deklaroi se qyteti i Durrësit duhet t’i kthehet qytetarisë dhe se ai hyn në garë për të fituar dhe për ta bërë realitet diçka të tillë. “Si durrsakë, me shumë prej jush na lidhin kujtimet e fëmijërisë, rinisë e universitetit, na lidhin ditët e vështira të viteve ‘90 ku bashkë u bëmë pjesë e atij shpërthimi uragan që rrëzoi statujat e regjimit, i cili duket që në 30 e ca vite u transformua dhe komplikua për të mbërritur këtu ku jemi sot. Falë mbështetjes suaj kam përfaqësuar dy herë Durrësin, si deputet i PD në Kuvendin e Shqipërisë, duke i qëndruar besnik, si në çdo angazhim timin publik e politik, parimeve të mia dhe të subjektit politik që më besoi, duke mbajtur qëndrime në momentet më delikate. Koha më tregoi që kam pasur të drejtë. Durrësi ka nevojë për ndryshim, Durrësi ka nevojë t’i kthehet qytetarëve dhe qytetarisë! Këtë e ndjej në takimet e përditshme me ju, në thirrjen tuaj për t’i paraprirë ndryshimit. Në bashkëbisedimet me miq, intelektualë, pedagogë, mjekë, mësues, bujq, biznesmenë, pensionistë dhe të rinj shoh mbështetjen për të punuar së bashku për ndryshimin. Sot është 14 nëntori, një datë kuptimplotë në historinë e qytetit tonë. Një datë simbolike, që përfaqëson çlirimin e tij nga pushtuesit e huaj, 78 vite më parë”, tha Cara.

Aktori Deda prezanton kandidaturën në primaret e Tiranës

Ndërkohë, në Tiranë, ndonëse ishte bërë me dije më herët se aktori i humorit do të ishte një nga pretendentët për të rivalizuar Erjon Veliajn, dje Julian Deda doli nga selia blu për të kërkuar fillimisht mbështetjen e demokratëve. “Në 21 vite rrugëtim të jetës time në kryeqytet, e kam parë Tiranën si kryemundësinë për të gjithë, por ajo e ka humbur pak nga pak këtë shkëlqim. E ka humbur ndërsa rriten kullat e zhduken parqet, e ka tretur ndërsa ngushtohen rrugët e rritet trafiku, e ka shuar ndërsa zhduket dielli e rritet smogu, e ka bjerrë ndërsa mblidhen taksa e rritet represioni mbi biznesin. Fëmijët kanë humbur mundësinë për të luajtur, prindërit kanë humbur kohën për t’ua dhënë fëmijëve të tyre, të moshuarit kanë humbur përkujdesjen, Tirana ka humbur buzëqeshjen”, tha Julian Deda.

Sot miratohen kandidaturat e primareve

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Flamur Noka, ka lajmëruar anëtarët e kryesisë së PD për t’u mbledhur sot në orën 14:00 për të shqyrtuar kandidaturat dhe miratuar listën finale të kandidaturave për primare. Ndërkohë, pritet të diskutohet gjithashtu edhe vijimi i axhendës për aksionin opozitar.

DEPUTETËT QË DUAN TË GAROJNË PËR KRYETAR BASHKIE

Belind Këlliçi Tiranë

Luçiano Boçi Elbasan

Zef Hila Shkodër

Bardh Spahia Refuzon mandatin për Bashkinë Shkodër

Elda Hoti Kurbin