Tirana mirëpret sot Ministerialin BE-Ballkani Perëndimor për Drejtësinë dhe Punët e Brendshme, i organizuar nga Çekia si vendi që mban presidencën e radhës së Bashkimit Europian. Në ditën e parë ky ministerial do të fokusohet tek çështjet prioritare që lidhen me migracionin e paligjshëm dhe punët e brendshme.
Krahas ministrit të Brendshëm çek, Vit Rakusan dhe homologut të tij shqiptar, Bledi Çuçi, e pranishme do të jetë gjithashtu Komisionerja e BE për Punët e Brendshme, Ylva Johansson. Po kështu marrin pjesë edhe ministrat e Brendshëm të Kosovës, Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi, Bonjë Hercegovinës, përfaqësues të lartë të EUROPOL, FRONTEX, Koordinatori Antiterrorizëm në BE si dhe përfaqësues të Suedisë dhe Spanjës.
Punimet e ministerialit do të nisin në orën 13:30 në Pallatin e Kongreseve. Pas takimit me dyer të mbyllura do të ketë një konferencë për mediat në orën 17:30 të Komisioneres Johansson, ministrit Çuçi dhe homologut çek, Rakusan. Në ditën e dytë, ministeriali do të fokusohet tek çështjet që lidhen me drejtësinë.