Juristi Kreshnik Spahiu thotë se prokuroria shqiptare duhet t’i dërgojë një letër porosi SHBA-së dhe Britanisë së Madhe, pasi këto dy shtete kanë shpallur non grata, ish-kryeministrin dhe kreun aktual të PD-së, Sali Berisha.
Në një intervistë për Euronews Albania, Spahiu u shpreh se duhet të kërkohet informacion, sepse Berisha është ndëshkuar, në bazë të disa fakteve, për minim të demokracisë dhe shantazim të drejtësisë.
“Prokuroria shqiptare e ka për detyrim, në bazë të procedurës penale, t’i drejtojë një letër porosi, organeve të hetimit dhe Departamentit të Shtetit dhe t’i thotë, ne jemi njohur me faktin që ju keni akuzuar dhe ndëshkuar, sepse nuk kemi të bëjmë me akuzë, kemi të bëjmë me ndëshkim në Uashington.
Uashingtoni dhe Londra kanë ndëshkuar Sali Berishën duke e shpallur non grata, mbi faktet të cilat ata pretendojnë që ka minuar demokracinë dhe ka shantazhuar drejtësinë shqiptare, me qëllim që të pasurojë klanin e tij. Ky është arsyetimi. Dhe prokuroria shqiptare, ashtu siç procedon edhe mbi një denoncim në mediat shqiptare, sikur një gazetë të japë fakte, prokuroria ka detyrimin që të fillojë të hetojë”, theksoi ai.
Ditën e djeshme, në një intervistë ekskluzive për Euronews Albania, drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme (SPAK), Arben Kraja bëri të ditur se Ilir Meta është në hetim për dosjet që janë dorëzuar për financimet në parti.
Lidhur me çështjet e kompleksit Partizani dhe Gërdecin, Kraja nënvizoi se janë nën hetim.