Një deputet konservator i ka bërë thirrje Parlamentit që t’i presë krahëhapur futbollistët e guximshëm të Iranit, të cilët mund të persekutohen kur të rikthehen në shtëpi pas Botërorit.
Kombëtarja e Iranit qëndroi në heshtje të plotë gjatë ekzekutimit të himnit kombëtar në “Khalifa International Stadium” të Dohas ditën e hënë para ndeshjes me Anglinë.
Një gjest i tillë proteste i lojtarëve të kombëtares, në shenjë kontestimi të regjimit të vendit, është vlerësuar nga bota perëndimore.
Anglezët po mendojnë t’u ofrojnë një rrugë shpëtimi në rast se Lideri Suprem Ali Khamenei vendos t’i ndëshkojë futbollistët, pasi qëndrimi i ndryshëm politik konsiderohet një krim në Iran.
“Skuadra iraniane mund të zgjedhë të mos kthehet në Iran duke parë atë që po ndodh. Qeveria jonë duhet t’i trajtojë këta individë me një proces të përshpejtuar azili nëse duhet. Irani është një regjim diktatorial brutal”, tha deputeti anglez.