Nga Plator Nesturi
Dy ditë më pas do të ketë një protestë dhe sa herë që në sfond kemi evente të tillë përplasjeje, politika xixëllon gurët e strallit për ti vënë zjarr situatës. Që prej dy ditësh, aleatët Berisha – Meta në unison kanë njësuar aksionin politik dhe gjuhën e ashpër në funksion të protestës që do të organizojnë së bashku, si mënyra e vetme përballëse me maxhorancën.
Deri këtu, nuk ka asgjë të panatyrshme, pasi opozitat në Shqipëri e kanë patur skenar të parapërgatitur dhe klishe të tyre ditirambet luftarake përpara organizimit të protestave. Kjo ka qenë mënyra për të treguar forcë dhe për të ushtruar trysni ndaj çdo lloj maxhorance pasi betejat parlamentare në përgjithësi kanë qene anemike dhe shumë më shpesh të paefektshme.
Madje dhe togfjalëshat e përdorur si nga socialistët dikur, edhe nga demokratët, ajo e “popullit opozitar”, për njësimin e bashkësisë njerëzore që mbush sheshet janë fotokopje në kohë, veçse me konture gjithmonë e më të zbehta nga vjetërsia e përdorimit. Ajo çka e bën të mjegullt atë që vjen pas dy ditësh është nëse do të jetë një manifestim rutinë e një opozite që është në kërkim të vetvetes dhe të rritjes së adrenalinës së vet në prag të zgjedhjeve vendore apo diçka shumë më tepër se kaq.
Atë të një skenari ku do të tentohen incidente të paramenduar dhe që për qëllim kanë përshkallëzimin e rrezikshëm të situatës deri në prishjen e ekuilibrave të shtetit. Nëse i kushtohet vëmendje deklaratave dhe gjuhës së përdorur në deklaratat e drejtuesve politikë të opozitës, vërehet një nervozizëm dhe ngutje. Nervozizëm pse ndihen të dobët dhe nuk munden të përballen drejtpërdrejt në një betejë legale që janë zgjedhjet e ku verdiktin e jep vota e qytetarëve.
Ngutje, pasi i përvidhen rrugës së vështirë për të fituar besimin e qytetarit që mund ta kurorëzojë si fitues në të ardhmen, por kërkojnë të shfrytëzojnë çdo mënyrë për kaos dhe beteje rrugësh që dobëson kundërshtarin. Berisha u shpreh se protesta “ është e vetmja gjuhë që njeh kjo maxhorancë” dhe se kjo “betejë nuk përfundon veç me rrëzimin e Ramës”. Ndërkohë nga ana e vet Rama i kundërpërgjigjet se me protestën do të kapë veç Noc Rrokun.
Një vallëzim në distancë deklaratash ku të dy dëshmojnë se ia dinë mirë qëllimet dhe mënyrat që do të përdorin kundërshtarët. Dhe në fakt e gjitha kjo retorikë tregon se po hyjmë në një fazë të rrezikshme aventureske ku qëllimi nuk është protesta qytetare por skenari që vjen pas tij. Motive për të bërë një protestë janë të shumta aq më shumë me krizën dhe problematikat që ka sjellë ajo.
Por përdorimi i masës njerëzore që proteston për një të drejtë të vetën për qëllime të tjera që shkojnë përtej asaj çka manifestohet në shesh, ku turbullirat e incidentet prevalojnë mbi të drejtën qytetare, atëherë kjo do të ishte kriminale, e pamoralshme dhe me pasoja. Një opozitë që ndihet kaq e dobët, që është në krizë të vetvetes e që nuk gjen forca ta tejkalojë atë e të arrijë të gjejë një motiv për të mbledhur brenda një çatie të përbashkët të gjitha pjesët, rrymat e rrjedhjet që e karakterizojnë prej një viti, mund të shndërrohet në rrezik publik kur kalon në aventurizëm.
Një rrezik që prek jetë qytetare dhe që tenton të hedh në erë ekuilibrat e shtetit. Nëse do të ish e kundërta dhe do të ndihej e sigurtë në forcat e veta dhe në mbështetjen popullore atëherë do të fokusohej tek beteja elektorale e rradhës. Zgjedhjet vendore nuk janë larg dhe ato do të jenë testi më i mirë i votëbesimit qytetar, i forcës dhe i mangësive të gjithësecilit. Nëse do të ish e kundërta, forca e opozitës do vibronte në elektorat duke krijuar dinamizëm të saj dhe do të ish një magnet për figura të spikatura publike e profesionale për të dhënë një kontribut më të madh për kauzën e saj. E kundërta po ndodh pra. Po largohen e po japin dorëheqje nga mandati parlamentar vetë deputetë të spikatur të kësaj opozite.
Në një varkë që po fut ujë gjithkush largohet. Aq më shumë kur kapiteni i varkës është person i kërkuar në shumë porte që duhet të jenë destinacion. E gjitha kjo në vetvete dëshmon dëshpërim. I tillë dëshpërim që nuk mund të mbulohet me aventurizëm dhe as me tentativë për të djegur me pishë në dorë shtëpinë ku nuk je më zot shtëpie.