Nga Jakin Marena

Vihet re një shtim doze i sulmeve nga brenda opozitës ndaj Lulzim Bashës e Enkelejd Alibeajt, njërit ish kryetar i PD ndërsa tjetri kreu i komanduar i partisë zyrtare, njëherësh dhe kreu i grupit parlamentar demokrat.

Ka disa ditë që Sali Berisha, kreu i grupimit më të madh në PD, “Rithemelimit” e mbështetësit e tij nuk lënë akuzë pa hedhur kundër Bashës. Duke i përmendur madje dhe akuzat e socialistëve në kohën kur ai kryesonte partinë, e që mendoheshin të harruara tashmë që ka dhënë dorëheqjen. Me sa duket Berisha është i fiksuar tek fakti se është Basha ai që drejton PD zyrtare në prapaskenë, ndaj i ka orientuar të gjitha sulmet në drejtim të tij. Berisha e bëri vetë për 9 vite ‘prapaskenën’ ndaj e quan të sigurtë faktin se dhe Basha, ish ‘biri’ i tij politik, të njejtën gjë po bën. Atë që ia mësoi vetë “baba”.

Ndaj, sa më shumë që afrohet 6 dhjetori, dita e përcaktuar nga Gjykata e Apelit për të marrë vendimin në lidhje me ankimimin e Alibeajt se kujt do t’i takojë vula dhe logon e PD, aq më shumë Berisha po përdor të gjitha mënyrat për të marrë një vendim në favor të grupimit të tij. Çka do t’i lejonte që “Rithemelimi” të përfaqësonte gjithë PD dhe në zgjedhje të futej me logon dhe vulën e PD, të regjistrohej në KQZ me kandidatët e vet në emër të PD, pa pasur nevojën e uljes në ‘këmbët’ e Ilir Metës, për të kandiduar nën siglën e Partisë së Lirisë, në një koalicion mes tyre, ndoshta me një emër tjetër më përgjithësues. Si më 6 mars të këtij viti. E di se Meta ta “mat kokën me spango”, pasi oreksi i tij për pushtet është shumë më i madh sesa takati politik.

MOS HUMBISNI

Ja vrasësi i prostatës! Burrat duhet ta lexojnë tani!
ProstaGenius

Nëse gjeni papilloma në trupin tuaj, bëjeni këtë menjëherë
Germixil

Kolltuk masazhues profesional -72% zbritje! Vetëm 55 000 Lek
Megazbritje
Për këto arsye, si dhe për të tjera që vetëm ai i di, Berisha nuk po lë mjet, sulm dhe kërcënim pa përdorur në funksion të faktorizimit zyrtar të tij për të qënë ai interlokutori i vetëm me të cilin mund të bisedohet zyrtarisht për PD dhe për opozitën shqiptare. Nga të gjithë.

Kërcënoi se do të bënte ‘namin’ duke protestuar me 6 dhjetor, pikërisht ditën kur pritet të merret vendimi i Apelit për PD, por që koinçidon me ditën e zhvillimit të samitit të përbashkët mes BE dhe Ballkanit Perëndimor në Tiranë, ku do të mblidhen mbi 30 kryetarë shtetesh që nga presidenti francez e kancelari gjerman, e deri tek kryeministri i Kosovës. Për të unifikuar shtrëngimin e radhëve përballë agresionit rus në Ukrainë.

Që nga kryeministri Edi Rama, shumica e mediave madje dhe deputetë të PD dhe të “Rithemelimit” e akuzuan Berishën se me këtë protesë më 6 dhjetor po i nxin faqen Shqipërisë para botës së qytetëruar dhe aelatëve tanë, si dhe po bën “autogol” për vete e grupimin që udhëheq në opozitë.

Po Berisha nuk lëvizi nga e tija. E ka “hobi” shkuarjen deri në fund të një gjëjë që e ka hedhur në publik për ta bërë, qoftë dhe veprimi më gabuar në botë të jetë. Aq më tepër kur ia kërkojnë të gjithë ta anulojë, shtyjë apo heqë dorë, sidomos kunërshtarët politikë, Berisha ecën para.

Dhe Rama e pret me kënaqësi këtë këmbëngulje, madje dhe duke njohur këtë “cen” të Berishës e sulmon akoma më shumë duke i bërë thirrje të heqë dorë nga protesta. Të kuptohemi, jo që ta bindë që të heqë dorë nga protesta. E bën thjeshtë e vetëm për ta “karikuar” më tepër që të mos tërhiqet. Dhe Berisha është i sigurtë për këtë, por një zot e di pse lideri i “Rithemelimit” nuk e përdor marshin “indietro”. Madje nuk i ‘punon’ fare ky marsh!

Ndërkohë që Berisha është acaruar sërish dhe me kundërshtarët brenda PD, duke rifilluar akuzat në drejtim të ish kreut demokrat Lulzim Basha. Nuk po lë gjë pa thënë. Ndonëse tashmë i ka lënë akuzat për lobim me para ruse në SHBA, pasi dhe CIA amerikane por dhe mediat e rajonit e akuzojnë Berishën dhe jo Bashën si përfitues i gjysmë milioni eurosh nga Kremlini për të rrëzuar qeverinë e Shqipërisë dhe për të destabilizuar vendin e rajonin por dhe si dhe pikë kontakti të Putin në Ballkan, kreu i “Rithemelimit” ka gjetur elementë të tjerë të prodhuar nga mendja e tij për të goditur ish kreun e PD. Si ‘burimi’ i të gjitha të këqijave për karrierën politike të tij, e mbi të gjitha poshtërimit të tij publik e politik, para shqiptarëve dhe partnerëve tanë ndërkombëtarë.

Berishës i duhet sërish një armik i ri i cili bashkë me armikun në dispozicion Rama, pak muaj para zgjedhjeve të jenë ‘tabela’ e tij e goditjes politike. Për të mbajtur të karikuar militantët e vet, që ditë pas dite po pakësohen, dhe për të hyrë në zgjedhje me mbështetjen e tyre të paktën.

Tashmë Basha i nevojitet për ta sulmuar si një njeri që ka përfituar nga projekti i ndërtimit të portit të ri të Durrësit, një projekt madhor i Emirateve, me vlerë mbi 2 miliardë euro, dhe ku shteti shqiptar për të parën herë ka aksionet e veta, në masën mbi 33 përqind.

Basha i duhet pikërisht aty për ta goditur, për përfshirjen e kunatit të ish kryetarit demokrat në aferat korruptive, në gjobat ndaj biznesit dhe mbi të gjitha për ta paraqitur si “urë komunikimi” me njerëzit e Edi Ramës, për të përfituar para publike. I duhet Basha si “ortak” përfitues te Porti i ri i Durrësit Berishës. Pavarësisht përgënjeshtrimeve edhe me dokumente, duke vertetuar të kundërtën, Berisha vijon të sulmojë pikërisht në këtë pikë, sikur s’ka dëgjuar apo parë asgjë.

Sepse Lulzim Basha i nevojitet si armik për momentin dhe Berisha menjëherë e vë në “murin” e pushkatimit, duke i ndërsyer dhe ithtarët. Anipse vetë Berisha tregoi për herë të parë se ia kishin kërkuar dhe atij Portin e Durrësit, fakt që e ka pranuar pas akuzave të Ramës pikërisht për këtë dështim. Rama e akuzoi dhe për dhënien e tokës me 1 euro dhe se projekti kishte dështuar për faktin se “Napoleoni”(Berisha) kishte kërkuar 50 përqindshin si ryshfet. Ndaj iku investitori.

Gjithkush mund të pyesë se çfarë e ka zënë Berishën që sulmon kaq ashpër Bashën, i cili ndonëse i ka bërë gjëmën pasi e përjashtoi nga grupi parlamentar pas shpalljes “non grata” familjarisht nga SHBA për korrupsion madhor, minim të demokracisë e shantazh ndaj drejtësisë, tashmë ai nuk është më kreu i PD e s’përbën rrezik. Madje sikurse e thonë rëndom dhe vetë mbështetësit e Berishës në panele televizive se “Basha përshesh po ha, siç ka bërë gjithmonë”.

E vërteta është se deklaratat e Alibeajt për daljen me kandidatët e PD zyrtare më vete në 61 bashkitë e vendit, kanë nisur të shfaqen kandidatët e parë në Mallakastër dhe Lezhë, dhe në 10-ditëshin e parë të dhjetorit do plotësohet e gjithë lista e garuesve, e kanë acaruar shumë Berishën.

I bindur se pas gjithë këtyre lëvizjeve qëndron Basha, i mbështetur nga ambasadorët e SHBA, BE dhe Britanisë së Madhe, të cilët kreu i “Rithemelimit” i ka shpallur armiq të tij dhe i sulmon çdo ditë, Berisha po sheh se turma mbështetëse e tij që ishte aktive në momentet e para të luftës për dëbimin e Bashës, ka nisur të rrudhet dhe të “hyjë në ujë”.

Ata të cilët kishin shpresuar për liri vote e zgjedhje brenda PD, pasi e panë veten jashtë forumeve e strukturave të “Rithemelimit” pa asnjë shans ‘çarjeje’ të “gardës” të sigurtë politike që rrethon Berishën, të cilët kapën të gjitha postet drejtuese, tashmë janë zhgënjyer e po lëvizin në drejtime të tjera, duke e braktisur ish kryeministrin demokrat.

Dikush jep dorëheqjen për të kaluar në sektorin privat, siç bënë ish nënkryetarja e PD Grida Duma që dorëzoi mandatin e deputetit dhe kaloi “lektore” emisionesh në një televizion, apo ish nënkryetari tjetër-ish kryetar i grupit parlamentar të PD Alfred Rrushaj që dorëzoi dhe ky mandatin e deputetit për të kaluar në profesionin e tij, ashtu dhe të tjerë figura të PD por dhe mbështetës të Berishës deri më tani, të zhgënjyer po lëvizin në drejtim të subjekteve të tjera politike apo po merren me punët e tyre.

Dalja e PD zyrtare të drejtuar nga Alibeaj me kandidatët e vet në zgjedhjet vendore të 14 majit të vitit të ardhshëm por dhe shpresa se Apeli do të vendosë në favor të tij për vulën dhe logon e PD, ka bërë që objektivi i tyre në realitetin e tanishëm të opozitës të ndryshojë kah, nga Berisha tek Alibeaj. Nuk flasim për shumica të theksuara por flasim për rrjedhje që e dëmtojnë akoma më shumë grupin më të madh në PD të udhëhequr nga Berisha, i cili ka pësuar një reduktim drastik kohët e fundit.

Askush me mendje normale në PD dhe në opozitë nuk ka shpresa se Berisha, i cili është shpallur “non grata” nga SHBA, Britania e Madhe, dhe trajtohet si “non grata” nga vendet anëtare të BE, por dhe nga grupimi i djathtë politik ku PD është anëtare, Partitë Popullore Europiane, të mund të bindë njeri që të votojë për “Rithemelimin”, për të marrë ndonjë bashki më 14 maj 2023.

I kanë sytë në ballë për të parë se asnjë zyrtar ndërkombëtar, i administratës shtetërore respektive apo politik, madje as liderë politikë apo qeveritarë të rajonit tonë, nuk e “devijon” rrugën buzë Lanës për të hyrë në selinë e PD dhe takuar liderin e pretenduar të kësaj partie. Zero takime, zero shtrëngim duarsh, zero përshëndetje, zero mbështetje në fund të herës. Izolim i plotë.

Madje dhe aleati i vetëm me të cilin ka nënshkruar marrëveshje parazgjedhore, ish presidenti Ilir Meta që drejton Partinë e Lirisë, një vazhdim i LSI, është izoluar dhe për shkak të nënshkrimit të marrëveshjes së koalicionit për zgjedhjet e 14 majit me Berishën. Ia thanë përfaqësuesit e PSE-ve të cilët refuzuan ta ftojnë në kongresin zgjedhor të para një muaji.

Pavarësisht se dhe Meta ka hallet e veta, pasi gjendet i izoluar për shkak të sjelljes së tij politike, gjuhës së përdorur ndaj SHBA e BE dhe mbi të gjitha akuzave që ka mbi kurriz, të cilat një pjesë janë nën hetim në SPAK. Hetim që si dihet fundi me këtë drejtësi që kemi, por ndërkombëtarët e llogarisin Metën si person nën hetim. Ndaj dhe me gjithë refuzimin që i bëri Berishës për pjesëmarrjen në protestën e 6 dhjetorit, Meta sërish nuk po “rehabilitohet” në sytë e partnerëve.

Berisha dhe Meta i mëshojnë shumë mbështetjes së shqiptarëve. Bëjnë deklarata nëpër panele televizive, nëpër takime në qendër të Tiranës, apo në rrjetet sociale, duke i mëshuar fort këtij fakti. Por janë dhe të frustuar nga dalja e kandidatëve të Basha-Alibeajt, për 14 majin. Ndaj i kanë intensifikuar sulmet ndaj tyre duke i cilësuar si “vegla të Edi Ramës”, që i shërbejnë atij në këmbim të përfitimeve financiare dhe si pjesë e projekteve të mëdha investuese.

Për hir të së vërtetës Berisha por dhe Meta janë trembur, sepse mbështetja në bazë për ta është në një nivel të mjerueshëm. Madje po “rrjedh” dhe mbështetja nga militantët, që gjithsesi dhe sikur të jenë të gjithë, mbi 100 mijë të dy bashkë sa pretendojnë se kanë anëtarësinë, s’fitojnë bashkitë.

Duhet dhe elektorati gri, i cili është trembur nga kjo dyshe e izoluar ndërkombëtarisht dhe që nuk ngjall asnjë shpresë, as kur deklaron se lufton kundër korrupsionit, pasi Berisha e Meta kanë të dy bashkë 8 kallzime penale në SPAK për korrupsion madhor dhe mbi të gjitha janë izoluar për korrupsion madhor, as kur flasin për demokraci, as kur flasin për drejtësinë, as kur flasin për largimet e të rinjve nga vendi. Madje as për përmbytjet nuk i beson askush në akuzat e tyre.

Për më tepër që dhe “aliazhi” mes “Rithemelimit” të Berishës dhe Partisë së Lirisë së Metës, nuk funksionon thuajse aspak në bazë. Kur shohin njëri tjetrin brenda PD si armiq, gjithkush e imagjinon se si e shohin demokratët e bazës anëtarësinë e PL(LSI), e cila ka lëvizur si “lavjerrës” që nga viti 2009 disa herë, herë në drejtim të PD e herë në drejtim të PS. Pa asnjë bosht politik, thjeshtë dhe vetëm për pushtet e në mënyrë klienteliste dhe përfitime nga pushteti.

Pakti Berisha-Meta, sado efikas të jetë për nga mënyra e funksionimit mes lidershipit respektiv në Tiranë, në bazë nuk “ngjit” fare. Përkundrazi. Ka krijuar hendeqe shumë të thella, çka ka sjellë lëvizjen e mbështetësve në drejtim të partive të tjera, kryesisht në drejtim të PD zyrtare të drejtuar nga Alibeaj dhe të aleatëve të djathtë të PD, që do të garojnë dhe ata më vete. Pjesa tjetër më 14 maj pritet që të rrijë në shtëpi, nuk do e hedhë votën për askënd. Dhe kjo është dramë.

Nuk flitet tashmë nëse Berisha e Meta e kanë apo jo të garantuar humbjen në zgjedhjet e 14 majit. Tashmë flitet për nivelin e thellësisë së kësaj humbjeje, e cila njëherësh paralajmëron humbjen dhe në ballafaqimin elektoral për parlamentin e ardhshëm, në pranverë të vitit 2025.

Ndaj Berisha dhe Meta nuk zbresin dot sëbashku në bazë për të ‘karikuar’ sëpari mbështetësit e tyre e për të “kalitur” bashkëpunimin e strukturave dhe mbështetësve respektivë. E lënë evazive dhe deri më tani po përpiqen të gjejnë alibinë e humbjes. Që me sa duket e kanë gjetur. Janë, armiku në dizpozicion Edi Rama, të cilit ia kanë formatuar akuzën e vjedhjes apo blerjes së votës si dhe “bashkëpunëtorët” e tij, Lulzim Basha e Enkelejd Alibeaj të “shitur” te Rama. Dhe inatin e shkarkojnë pikërisht te Rama e Basha, por dhe te partnerët tanë ndërkombëtarë.

Deri më 14 janar do të dëgjojmë akuza dhe alibi të tjera. Në fund të herës, ajo që po shohim është se Berisha është acaruar shumë me Bashën e Alibeajn dhe nuk po lë akuzë pa bërë në drejtim të tyre. Pavarësisht nivelit të vërtetësisë së tyre. Bjerrja e “Rithemelimit” ditë pas dite, përpjekja për të gjetur alibinë e duhur deri më 14 maj për humbjen në zgjedhje.

Njëherësh dhe me një alibi shpëtimi nga përgjegjësia e humbjes dhe për pasojë dhe vënia para përgjegjësisë së dorëheqjes nga lidershipi i grupit më të madh në PD, tashmë është kthyer në një kauzë bazë e Berishës. Kauzë që nuk ka asnjë lidhje me mobilizimin për të sjellë opozitën në pushtet. Atë qëllim e kanë harruar me kohë dhe vakt, është një shpresë e varrosur sa të jetë kjo dyshe në krye të opozitës.