Kryeministri Edi Rama reagoi sot teksa Sindikata e Pedagogëve ka paralajmëruar për grevë urie nëse nuk realizohen kërkesat e tyre nga qeveria.
Rama deklaroi në Qesarakë gjatë inaugurimit të një shkolle se “grevë urie për paga bëjnë vetëm njerëzit, pa fe, pa flamur, pa din e pa iman”, duke vijuar sulmin ndaj kreut të Sindikatës, Sandër Kovaçi.
“Grevë urie për rroga bëjnë njerëzit pa fe, pa flamur, pa din e pa iman. Grevë urie për rroga nuk bëjnë prindërit e këtyre të cilët me siguri shumica i kanë të ardhurat më pak se SHIK-si që urdhrat i merr nga fortorja e baltës, por nuk bën grevë urie. Është institucion i lartë për të cilin luftohet për të drejta themelore, aq më tepër në këto kushte rritjen më të madhe për rroga e kanë pasur pedagogët, nuk iu është rritur rroga 15% mësuesve, që janë bashkë me fëmijët këtu, edhe pse kanë punë më të vështirë se shumë prej atyre që mbajnë emrin e pedagogët. Si mundet një misionar i arsimit të deklarohet publikisht se nuk ia vlen të jesh pedagogë. Ai s’mund të jetë më pedagog, për është autonomia jo e drejta jonë tu’ tregojmë vendin”, tha Rama.
Sipas tij, shumica e pedagogëve nuk janë këta, nëse do ishin shumica si këta do ishim në alarm, më të madh se inflacioni i luftës.
“SHIK-si do të futet në grevë urie për ti shërbyer atyre të rublave ruse dhe jo atdheut. Më vjen mirë që ne sot jemi sot mund tu themi 3 fëmijëve të Klodian Tonushit që janë fëmijë të kësaj republike dhe se deri në fund të rrugëtimit të tyre para se të dalin në jetë, do jenë të mbështetur financiarisht nga shteti dhe në aspektin financiar, paga e babait do të vijë në shtëpi, jo një pagë e vetme, por më shumë për të 3 ata që nëna e tyre të mos ketë stres dhe të ardhurat për shkollimin e tyre të jenë të ardhurat që babai i tyre do të donte të kishte”, tha Rama.