Sali Berisha u kërkoi qytetarëve të ngrihen ashtu si 30 vite më parë kundër diktaturës duke theksuar se Edi Rama ka rikthyer monizmin në vendin tonë.

Ai u shpreh se Edi Rama është armik i lirisë së shqiptarëve dhe i ka detyruar ata çdo ditë e më shumë të largohen nga vendi.

“Shqiptarët sot janë populli i gomoneve sepse dikush dhe ky dikush është Edi Rama, ju ka grabitur votën, ju ka plaçkitur votën, ka shtruar lirinë e tyre në iluzion. Ka shtruar votën e tyre në votë fiktive. Vetëm e vetëm që të qëndrojë në pushtet.

Ky armik i lirisë sonë, ky armik i votës tuaj, nuk njeh ligj, nuk njeh kushtetutë e moral, nuk njeh asgjë dhe është vërsulur me makinerinë e narkoshtetit të tij të rrëmbejë shqiptarëve votën, së bashku me votën edhe dinjitetin, shpresën, besimin. Miqtë e mi pas Enver Hoxhës, Edi Rama është armiku më i egër i lirive tona. Ai që të merr shpresën të ka marrë dritën hyjnore drejt të ardhmes. Ai që të merr shpresën të ka marrë besimin, forcën e pashtershhme drejt të ardhmes, dinjitetin dhe vendin.

Njeriu që nuk voton i lirë është njeri pa shpresë që humb besimin të cilit vendi nuk i duket më i tij. Ai mendon se toka e tij e të parëve, toka e prindërve të tij nuk do jetë më djepi i fëmijëve të tij. Nuk do te jetë më kopshti ku do të lulëzojnë ëndrrat e fëmijëve të tij. Kjo është Shqipëria sot.

Edi Rama me rrëmbimin e votës ka vendosur monizmin. Ka rikthyer monizmin e plotë. Ju ftoj të brohorasim si 30 vite më parë, kur përmbysëm diktaturën. Kur brohorisnim vdekje monizmit”, deklaroi Berisha.