Në 78-vjetorin e çlirimit të Shqipërisë, asnjë nga drejtuesit e Partisë Demokratike nuk ishte i pranishëm në varrezat “Dëshmorët e Kombit” për të bërë homazhe për dëshmorët e rënë në luftën për liri. Por në këtë 28 nëntor, ndryshe nga tradita 30-vjeçare drejtuesit e Partisë Demokratike u mjaftuan vetëm me nga një mesazh në rrjetet sociale për 78-vjetorin e Çlirimit. Berisha postoi një foto të vjetër të tij duke nderuar dëshmorët në memorialin “Nënë Shqipëri”.
Ndërsa ish-kryetari Partisë Demokratike, Lulzim Basha, e uroi ditën e çlirimit bashkë me një nderim edhe për datën e lindjes së komandantit të UÇK-s, Adem Jashari. Por nëse Berisha dhe Basha publikuan nga një foto në rrjetet sociale, ndërsa Alibeaj si kryetar i grupit parlamentar demokrat nuk përcolli asnjë mesazh për këtë datë të shënuar. Data zyrtare që njihet dhe festohet si data e çlirimit është 29 nëntori, por për të djathtën shqiptare çlirimi nga pushtuesit nazi-fashist kremtohet më 28 nëntor, në të njëjtën datë me pavarësinë. 28 apo 29 nëntori, si datë e çlirimit ka qenë “mollë sherri” mes të djathtës dhe të majtës gjatë 30 vite pluralizëm dhe është festuar gjithmonë veçmas dhe homazhet në varrezat e dëshmorëve të kombit janë bërë në dy ditë.