Edhe pse u duk se do të kishte një bashkim mes demokratëve për të dalë në zgjedhjet vendore me një kandidat, negociatat dështuan ditën e djeshme.
Grupi Parlamentar i PD-së, i drejtuar nga Enkelejd Alibeaj njoftoi ditën e djeshme se do kërkojë t’i hapet rruga për të dalë me kandidatët e vet.
Nga ana tjetër, deputeti Gazment Bardhi ka kërkuar që të mblidhet me deputetët në degën numër 7 të Partisë Demokratike në Tiranë ditën e sotme.
Në rendin e ditës, sipas njoftimit të shpërndarë nga i mandatuari i Enkelejd Alibeajt, janë diskutimet në lidhje me vendimet që do të merren prej tyre për bashkimin ose jo me PD-në zyrtare, të drejtuar nga kryedemokrati Sali Berisha.
“Nesër, datë 2 Nëntor, ora 18:00; në selinë e Partisë Demokratike Dega 7 (përballë Mondialit), do të zhvillohet mbledhja e Kryesisë së Partisë Demokratike, me rend dite: Diskutime dhe vendimmarrje mbi qëndrimin e mëposhtëm të Grupit Parlamentar të PD.”
Ditën e djeshme, në një deklaratë zyrtare, Alibeaj lajmëroi se kishte ndërprerë çdo negociatë me grupin e Berishës, pasi sipas tij, këta të fundit ishin ulur në bisedime me dy kushte: Njohjen e primareve dhe të lidershipit të Berishës.
Alibeaj bëri me dije se do të dilnin me kandidatët e tyre në zgjedhjet lokale. Kjo deklaratë u shoqërua nga reagime. Berisha i paralajmëroi kur u tha se “i kishin bërë llogaritë gabim”, ndërsa i mandatuari i PD-së, Edi Paloka u shpreh se pas Alibeajt sheh “hijen” e kryeministrit Edi Rama.