“Ndërhyrja e NATO-s në korrik në mbrojtje të Qeverisë shqiptare pasi hakerat e lidhur me Iranin filluan një seri sulmesh kibernetike ishte e admirueshme. Megjithatë, përgjigjja teknike e NATO-s ndaj sulmeve ishte e pamjaftueshme”.

Kështu ka deklaruar përfaqësuesja e SHBA-ve në takimin e aleancës së zhvilluar në Romë për sigurinë kibernetike, Anne Neuberger.

Takimi pason një angazhim të qershorit nga zyrtarë që përfaqësojnë 30 vende të NATO-s për të rritur ndjeshëm mbrojtjen kibernetike të NATO-s si aleancë dhe në nivel kombëtar.

“Ashtu si NATO është e përgatitur për t’iu përgjigjur krizave në fushëbetejë me të cilat përballen aleatët tanë, ne gjithashtu duhet të jemi të përgatitur për t’iu përgjigjur krizave kibernetike”, tha zëvendëskëshilltarja e Sigurisë kombëtare.

Ajo theksoi se aleanca duhet të jetë më e “shkathët në ofrimin e mbështetjes së drejtpërdrejtë, teknike dhe të nevojshme nëse një vend përballet me një sulm të rëndësishëm përçarës”.

Duke rikujtuar kështu sulmin kibernetik që preku faqet shtetërore të shërbimeve në Shqipëri, të cilin kryeministri Edi Rama dhe Qeveria amerikane ia kanë atribuuar Iranit.

Kjo, pasi hetimi i qeverisë, i cili u krye me ndihmën e FBI-së dhe Microsoft-it, ndër të tjera, zbuloi se sulmi kibernetik nuk u krye nga individë apo grupe të pavarura, por nga shteti iranian.

Neuberger ravijëzoi se parandalimi kibernetik është një fushë shumë e re, por kur u pa sulmi i qeverisë iraniane ndaj asaj shqiptare ndërpreu shërbimet zyrtare për një periudhë të gjatë kohore SHBA-të morën masa menjëherë masa.

Zyrtarja amerikane soli në vëmendje se sulme të tilla duhet të jenë një kujtesë se pse NATO-ja duhet të përfitojë duke investuar në qëndrueshmërinë kibernetike.

Ajo siguroi se për SHBA-të është e qartë se praktikat e mira me sigurinë kibernetike nevojiten të kryhen nga të gjithë anëtarët e NATO-s, por jo vetëm.

“Çdo anëtar i NATO-s duhet të pranojë se ato sjellin rreziqe nëse nuk vendosin praktika të përshtatshme të sigurisë kibernetike”, tha zëvëndësja referuar zhvillimeve teknologjike.

Ajo tha se për këtë SHBA-të kanë punuar shumë ngushtë me aleatët e NATO-s në mënyrë që të përmirësohet aftësia e reagimit ndaj incidenteve kibernetike.

Konferenca që u zhvillua në Romë për Mbrojtjen Kibernetike, u fokusua në standardet që anëtarët e NATO-s kanë për sistemet e tyre kritike, duke ndërtuar një aftësi për reagim ndaj incidenteve.