Opozita ka bërë fajtore qeverinë për përmbytjet në 3 qarqet kryesore në vend, në Durrës, Lezhë dhe Shkodër. Kryebashkiaku i Shkodrës, Bardh Spahia kërkon që të shpallet gjendja e emergjencës, e ndërsa deputetja e PD-së, Jorida Tabaku thekson se vëmendja kryesore e qeverisë duhet të jetë në sigurimin e jetës së njerëzve dhe të pronës.
Çfarë është dhe kur shpallet gjendja e emergjencës?
Gjendja e jashtëzakonshme buron nga një deklarim i qeverisë, që bëhet në përgjigje të një situate të jashtëzakonshme, që paraqet rrezik thelbësor për vendin. Deklarimi mund të pezullojë disa funksione normale të qeverisë, mund t’i paralajmërojë qytetarët që të ndryshojnë sjelljen e tyre normale ose mund t’i autorizojë agjencitë qeveritare që të zbatojnë plane të përgatitjeve emergjente, si dhe të kufizojnë ose pezullojnë liritë civile dhe të drejtat e njeriut. Nevoja për të deklaruar gjendje të jashtëzakonshme mund të lindë nga situata situatat e luftës midis shteteve, fatkeqësive natyrore, epidemive, trazirave civile etj. Gjatë kësaj periudhe, qeveria i jep ushtrisë dhe forcave të tjera më shumë autoritet për të vepruar. Masat e jashtëzakonshme mund të vendosen për shkak të gjendjes së luftës, gjendjes së jashtëzakonshme ose gjendjes së fatkeqësisë natyrore dhe zgjatin për aq kohë sa vazhdojnë këto situata.