Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi, nga foltorja e Kuvendit ku po diskutohet për të dytën ditë për projekt-buxhetin 2023, ka thënë se në 2023 parashikohet që rroga e ushtarakëve të rritet edhe me 7%.

Ai tha se në muajin korrik pagat e tyre u rritën me 30%, ndërsa parashikohet që tashmë të ketë edhe një rritje me 7%.

“Kam një lajm shumë të mirë për shtresën që përfaqësoj, për gjithë ushtarakët, rreth 7 mijë, që do të përfitojnë një rritje të re të pagës me këtë buxhet. Nga korriku ata marrin 30% më shumë pagë, në janar mbi këtë 30% shton edhe 7%. Pra është një rritje 40% e pagës, nëse merrte 500 mijë lekë në 2022, tani do marrë 700 mijë lekë, kjo është për pagën më të ulët, dhe vijon për të gjithë. Thamë që do i rrisim pagat cdo vit dhe po e mbajmë fjalën, dhe do t’i rrisim deri sa t’i kalojmë ato të rajonit”, tha ai.