Të gjithë i dimë historitë e gjenive si Ajnshtajni apo Moxart, të cilët kishin një inteligjencë mbi normalen.
Por nuk e kemi menduar ndonjëherë se një gjeni i tillë jetonte në këtë kohë mes nesh. Laurent Simons, 12-vjeçari me origjinë nga Belgjika, njihet me nofkën “Ajnshtajni i vogël” pikërisht pasi është një gjeni.
Edhe pse vetëm 12 vjeç, ai është regjistruar për doktoraturë, pas përfundimit të masterit në fizikën kuantike. Babai i tij, Alexander Simons bëri të ditur se 12-vjeçari Lauren studimet e doktoraturës do t’i regjistrojë në Institutin gjerman “Max Planck“ Megjithatë, ai nuk zbuloi detajet e programit, por theksoi se ”do të përfshijë kiminë, mjekësinë dhe fizikën, dhe se Laurent kohën më të madhe e kalon në laboratori”.
Laurent Simons, i lindur në qytetin Ostend, shkollën fillore e kreu në moshën 6-vjeçare ndërsa në moshën 9-vjeçare filloi studimet në Belgjikë.
Ai u diplomua në moshën 11-vjeçare ndërsa këtë verë, në moshën 12-vjeçare përfundoi studimet master në Universitetin e Antwerpen-it. Ai bashkëpunoi me një grup shkencëtarësh nga Instituti “Max Planck” për kërkimet mbi lazerët që zbulojnë kancerin nga mostrat e gjakut.