UNFPA, Bauer: Një paketë e gjerë masash për të frenuar emigrimin dhe uljen e lindshmërisë
Politikat sociale dhe ekonomike duhet të rishikohen nga vendet e Evropës Lindore, në kohën kur popullsia në botë arriti sot në 8 miliardë persona. Ndryshimet demografike dhe mënyra se si duhet të adresohen problematikat e popullsisë që arrin kulimin për sa i takon rritjes, ishin në fokusin e diskutimit të drejtueses së Zyrës Rajonale të UNFPA-së për Evropën Lindore dhe Azinë Qendrore Florence Bauer me ekspertë të ekonomisë dhe shëndetësisë mbajtur në Stamboll në Turqi. Gjithashtu përballja me këtë numër në rritje të popullsisë nuk do të thotë në anën tjetër që vendet të kolapsohen pa gjetur zgjidhje afatgjata për t’u përshtatur me këtë fenomen pa cënuar cilësinë e jetës, të marrjes së shërbimeve dhe në anën tjetër pa rënë numri i lindjeve.
Për sa i takon Shqipërisë, të dhënat e fundit të INSTAT(2022) flasin për rënie të numrit të lindjeve por dhe rënie të numrit të fataliteteve. Në vitin 2021, numri i lindjeve ishte 7680 ndërsa në vitin 2022, ky numër u ul në 6172 foshnje. Gjithashtu vdekjet shënuan ulje me 19.8% Në këtë rast, statistikat janë optimiste kur flasim për lindjet në raport me vdekjet duke bërë kështu që shtesa natyrore e popullsisë të jetë pozitive me 1042 lindje me shumë se ndarje nga jeta.
Diktuar nga situata ekonomike, pandemike, sociale dhe politike që ndërmarrin vendet e ndryshme, ka disa fenomene që po ndodhin paralelisht. Disa vende po përballen me lëvizje masive emigrantësh dhe në anën tjetër ka rënie të numrit të lindjeve. Sipas panelistëve dhe diskutantëve në këtë aktivitet, nëse këto ndryshime lihen pa u trajtuar, kjo mund të rrezikojë të ardhmen e ekonomive, sistemeve sociale dhe infrastrukturës në vendet e Evropës dhe më gjerë. Për këto ndryshime, Drejtuesja e Zyrës Rajonale të UNFPA-së për Evropën Lindore dhe Azinë Qendrore Florence Bauer sugjeroi paketë masash, jo thjeshtë stimuj financiar për familjet për të inkurajuar lindshmërinë.
“Në përgjigjet ndaj shteteve ku ka rënie të popullsisë, qeveritë priren të fokusohen në rritjen e nivelit të lindjeve dhe t’u ofrojnë njerëzve stimuj financiarë për të pasur më shumë fëmijë. Por ne kemi parë që kjo nuk funksionon. Ajo që nevojitet është një gamë e gjerë masash që e bëjnë më të lehtë për njerëzit të ndërtojnë një të ardhme në vendin e tyre, në vend që të kërkojnë mundësi diku tjetër dhe me e rëndësishme është të kenë numrin e fëmijëve që dëshirojnë” – tha Znj. Bauer.
Evropa Lindore ka qenë rajoni i parë botëror që ka përjetuar rënie të qëndrueshme të popullsisë gjatë dekadave të fundit. Kjo, sipas ekspertëve për arsye të emigrimit, pasigurive ekonomike dhe ulje të lindshmërisë. “Sigurisht, numrat janë të rëndësishëm, por më shumë se sa një përqendrim kaq i madh me ngritjet dhe uljet e numrit të popullsisë mund të shpërqendrojë nga ajo që ka vërtet rëndësi: krijimi i shoqërive sa më të shëndetshme në të cilat njerëzit duan të jetojnë dhe të kenë familje,” tha znj. Bauer.
Por cilat mund të jenë politikat që mund të konsiderohen jetike në këtë proces?
Kjo përfshin investime në kujdesin e fëmijërisë së hershme, mbështetje financiare ndaj kategorive të caktuara më të margjinalizuara, uljen e diskriminimit gjinor, mbështetjen e rolit të gruas në shoqëri dhe jetën publike. Gjithashtu ekspertët e vënë theksin dhe në heqjen e barrierave për gratë, të moshuarit, emigrantët për të kontribuar plotësisht në ekonomi dhe në jetën publike. UNFPA, Fondi i Kombeve të Bashkuara për Popullsinë, mbështet qeveritë përmes Programit të tij të Qëndrueshmërisë Demografike në zhvillimin e politikave gjithëpërfshirëse për të adresuar ndryshimet demografike.