Presidenti i vendit Bajram Begaj, në një deklaratë të përbashkët me homologun e tij Azerbajxhanit, Ilham Aliyev, u shpreh se bashkëpunimi i dy vendeve ka qenë gjithmonë shumë i mirë.

Presidenti Begaj tha ndër të tjera se bashkëpunimi për projektin TAP, ishte i suksesshëm. Po ashtu, ai deklaroi se i bëri me dije homologut të tij se Kosova është tejet e rëndësishme për Shqipërinë.

“Faleminderit zoti President, dhe jeni gjithmonë i mirëpritur në Shqipëri”, e mbylli fjalën e tij Begaj.

Ndërkohë nga ana tjetër presidenti i Azebajxhanit tha ndër të tjera se “kjo vizitë do t’i japë një shtysë të fortë marrëdhënies mes dy vendeve”.

“Sot kemi diskutuar shumë çështje bashkë dhe mendoj se hap mundësi të mirë bashkëpunimi në të ardhmen”, u shpreh ai.

Fjala e plotë e Presidentit Begaj:

I nderuar Presidenti Aliyev,
Të nderuar miq dhe pjesëmarrës,

Është kënaqësi e veçantë për mua të mirëpres sot Presidentin e Azerbajxhanit, Sh. T. Z. Ilham Aliyev, në vizitën e tij të parë në Tiranë.

Ju falënderoj z. President, për pranimin e ftesës dhe për bisedën miqësore e të frytshme që zhvilluam sot.

Kjo është një vizitë historike për miqësinë tonë, duke qenë hera e parë që Tiranën e viziton një President nga Azerbajxhani.

Vizitat e niveleve të larta janë shprehje e qartë e vullnetit dypalësh për të zhvilluar më tej marrëdhëniet e bashkëpunimit dhe miqësisë mes dy vendeve dhe popujve tanë.

Shpreha vlerësimet më të mira për dialogun e shkëlqyer politik dhe bashkëpunimin e deritanishëm dhe kam bindjen se kjo vizitë e juaja, – zoti President – do t’i japë një shtysë të fuqishme bashkëpunimit në të ardhmen, në fusha me interes të përbashkët.

Viti i ardhshëm shënon edhe 30 vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes Shqipërisë dhe Azerbajxhanit dhe kjo na jep mundësinë që ta shohim 2023, si vitin kur bashkëpunimi ynë duhet të intensifikohet dhe shënojë zhvillime të reja.

Pranverën e vitit të ardhshëm presim që të zhvillohet Java e Azerbajxhanit në vendin tonë, si një mundësi e mirë për të njohur më mirë dhe më nga afër kulturat e njëri-tjetrit.

Gjithashtu diskutuam mbi propozimin e palës Azerbajxhane për hapjen e Ambasadës në vendin tonë. Ky është një propozim që ne e mirëpresim dhe e vlerësojmë si shenjë të konsolidimit të marrëdhënieve dhe nevojë për të përshpejtuar ritmin e bashkëpunimit si dy vende mike.

Diskutimet tona sot u fokusuan veçanërisht në nevojën për identifikimin e fushave të interesit të përbashkët dhe rrugët konkrete për thellimin e bashkëpunimit.

Biseduam për nevojën e mbajtjes së Komisionit të Përbashkët Ekonomik në vitin 2023, si instrumenti më i mirë politiko-teknik për të vendosur piketat konkrete të bashkëpunimit dhe programuar vazhdimësinë për vitet e ardhshme.

Shqipëria synon një bashkëpunim më të ngushtë, veçanërisht në sektorë jetikë, si energjia dhe infrastruktura, turizmi, bujqësia dhe prodhimtaria.

Infrastruktura energjitike dhe ajo e gazit po bëhen gjithnjë e më të rëndësishme për të gjitha vendet.

Gazsjellësi Adriatiko-Jonian IAP, – përmes TAP-it, – lidh Shqipërinë me Malin e Zi, Kroacinë e Bosnjën, duke e kthyer vendin tonë në një shpërndarës dhe diversifikues rajonal të gazit; me rëndësi gjeostrategjike në planin rajonal dhe evropian.

Bashkëpunimi mes dy vendeve tona, përmes projektit madhor të TAP-it, ka qenë i suksesshëm. Ne kemi shumë për të mësuar dhe përfituar nga përvoja dhe investimet azerbajxhanase në këtë fushë.

Shqipëria, si vend tranzit në kuadër të TAP-it, synon të kthehet edhe në një vend përfitues të transmetimit të gazit.

Në kuadër të bashkëpunimit me BE-në, Shqipëria dhe gjithë vendet e Ballkanit duhet të krijojnë infrastrukturën e gazifikimit dhe kapacitetet e nevojshme deri në vitin 2030.

Kështu, procesi i gazifikimit të Shqipërisë hap mundësi të reja bashkëpunimi.

Ne mirëpresim ndihmën nga pala azerbajxhanase për ngritjen e kapaciteteve të nevojshme njerëzoredhe besojmë se kompanitë nga Azerbajxhani do tëshfrytëzojnë hapësirat për bashkëpunim në këtë sektor, – në Shqipëri, Kosovë dhe rajon.

Turizmi përbën një sektor të rëndësishëm të ekonomive të dy vendeve tona dhe një fushë me interes të përbashkët. Azerbajxhani ka përvojë të konsiderueshme, nga e cila ne mund të përfitojmë.

I konfirmova Presidentit se ne mirëpresim investimet dhe kompanitë nga Azerbajxhani për zhvillimin e sektorit të turizmit në vendin tonë.

Për të intensifikuar shkëmbimet në fushën e turizmit mes dy vendeve, folëm edhe për mundësitë e heqjes së vizave për qytetarët tanë.

Ndamë mendimin se kultura mbetet gjithmonëmënyra më e natyrshme për të afruar dy popuj.

Bashkëpunimi në fushën e kulturës ka qenë mjaft i ngushtë, i konkretizuar me marrëveshje të nënshkruara dhe zbatuara nga dy palët. Vetëm nëkuadër të projektit të TAP-t, vendi jonë ka arritur tëzbulojë rreth 44, 000 artefakte të rralla.

I shpreha falënderimet presidentit Aliyev për kujdesin që TAP-i ka treguar në ruajtjen e trashëgimisë sonë kulturore, gjatë punimeve të projektit, por edhe për ndihmën e qeverisë së Azerbajxhanit në zbutjen e dëmeve të shkaktuara nga tërmeti i 2019.

Biseduam për situatën e sigurisë në rajonin tonë, në Kaukazin Jugor dhe për pasojat e gjithanshme të luftës në Ukrainë.

I konfirmova Presidentit Aliyev se politika e jashtme e Shqipërisë mbështet paqen afatgjatë në rajonin e Kaukazit Jugor, zgjidhjen e mosmarrëveshjeve përmes diplomacisë dhe dialogut, me ndërmjetësimin e aktorëve të pranuar ndërkombëtarë, si BE, OKB, OSBE.

Tirana ka qenë gjithmonë mbështetëse ndaj integritetit territorial të Azerbajxhanit dhe nëfavor të zbatimit të rezolutave të Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

Me kënaqësi ndamë qëndrimin tonë të përbashkët për luftën në Ukrainë se ne mbështesim integritetin territorial të Ukrainës dhe se vetëm zgjidhja paqësore dhe respektimi i ligjeve ndërkombëtare janë rruga e vetme për paqen afatgjatë.

Me Presidentin biseduam për bashkëpunimin shumëtë mirë mes dy vendeve tona në organizma të rëndësishëm kombëtarë: OKB, OSBE, KIE(Këshilli i Evropës).

Vlerësojmë mbështetjen e Azerbajxhanit për kandidaturën e Shqipërisë në Këshillin e Sigurimit tëOKB-së, bashkëpunimin e treguar gjatë kryesimit shqiptar të OSBE-së, apo dhe mbështetjen tonë për kandidaturën e Azerbajxhanit për EXPO 2025.

Vlerësuam se mbështetja e kandidaturave reciproke duhet të vijojë më tej edhe në të ardhmen.

Përsa i përket rajonit tonë, i shpreha Presidentit mik Aliyev qëndrimin se Kosova është tejet e rëndësishme për Shqipërinë.

Stabiliteti dhe përparimi demokratik i Kosovës është i rëndësishëm jo vetëm për ne, por për qëndrueshmërinë dhe përparimin e gjithë rajonit tonë.

Ne inkurajojmë qeverinë e Azerbajxhanit që tëmbështesë dhe mos pengojë anëtarësimin e Kosovës në organizma të ndryshëm ndërkombëtarë, si nëKëshillin e Evropës apo njohjen e dokumenteve tëudhëtimit të qytetarëve të Kosovës.
Jo më pak i rëndësishëm është bashkëpunimi ndër-parlamentar.

Krijimi i Grupit Parlamentar të Miqësisë mes Shqipërisë dhe Azerbajxhanit duhet të ndiqet nga hapa të tjerë, që krijojnë mundësitë për intensifikim të bashkëpunimit mes dy parlamenteve tona.

Në përfundim,

Është e vërtetë se dy vendet tona mund të kenë ende shumë rrugë për të bërë për të intensifikuar bashkëpunimin dypalësh dhe për ta njohur më mirë njëri-tjetrin, por miqësia dhe bashkëpunimi i deritanishëm janë premisa shumë të mira për të ardhmen e marrëdhënieve miqësore mes dy vendeve dhe popujve tanë.

Faleminderit edhe një herë zoti President për vizitën tuaj dhe jeni gjithmonë i mirëpritur në vendin tonë mik!