Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, u ka thënë ukrainasve që të përgatiten për sulme të tjera të mundshme ruse mbi infrastrukturën e energjisë, teksa kryetari i Kievit u ka thënë banorëve të kryeqytetit të Ukrainës që ta shqyrtojnë largimin e përkohshëm nëse qyteti humb furnizimet me rrymë dhe ujë. Gjatë adresimit në orët e vona të 6 nëntorit, Zelensky tha se Rusia po “përqendron trupat dhe mjetet e saj për sulme të reja masive ndaj infrastrukturës sonë. Pikë së pari ndaj energjisë”.

Mbi 4.5 milionë konsumatorë veçse kanë mbetur pa energji, shtoi ai, mes shqetësimeve se mbështetja për Ukrainën mund të zbehet pasi ndikimi i luftës në çmimet e energjisë dhe ushqimit vazhdon edhe gjatë dimrit. Më herët, kryetari i Kievit, Vitali Klitschko, tha se nuk mund të përjashtojë mundësinë që kryeqyteti ukrainas të mbesë pa ujë dhe energji si rezultat i sulmeve shkatërruese ruse ndaj infrastrukturës së energjisë.

Gjatë muajit të kaluar, ushtria ruse ka shënjestruar infrastrukturën e energjisë ukrainase, duke shkaktuar ndërprerje të energjisë në vend. Më 6 nëntor, në Kiev ka pasur reduktime të energjisë. Kievi planifikon që të dislokojë afër 1.000 qendra ngrohëse, por është e paqartë nëse do të jenë të mjaftueshme për 3 milionë banorët e qytetit. Reduktime të energjisë po ashtu janë planifikuar në rajonet e Çernihivit, Çerkesit, Zhitomirit, Sumit, Harkivit dhe Potlavës, ka thënë operatori i energjisë në Ukrainë, Ukrenergo.

Këshilltari presidencial, Mykhaylo Podolyak, ka thënë se Ukraina do të “qëndrojë” pavarësisht sulmeve ruse ndaj infrastrukturës së energjisë, duke forcuar mbrojtjen ajrore, duke mbrojtur infrastrukturën dhe duke reduktuar furnizimin me energji.

Përderisa Rusia po rrit sulmet ndaj infrastrukturës civile, forcat ukrainase raportohet se po përparojnë në jug. Banorët e qytetit ukrainas të pushtuar nga Rusia, Herson, kanë pranuar mesazhe paralajmëruese në telefonat e tyre, që u bëjnë thirrje atyre që të evakuohen sa më shpejt, tha ushtria ukrainase.

Forcat ruse po përgatiten për kundërofensivën ukrainase që ka për qëllim rimarrjen e qytetit të Hersonit, i cili ra në duart e rusëve në ditët e para të pushtimit. Në shtator, Rusia paligjshëm aneksoi Hersonin dhe tri rajone të tjera dhe më pas shpalli gjendje lufte në katër këto provinca. Administrata e instaluar nga Kremlini në Herson veçse ka evakuuar dhjetëra mijëra banorë nga ky qytet.