Gjatë ndalesës në Njësinë 2, për konsultimet për buxhetin e vitit të ardhshëm, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, prezantoi përpara banorëve pikat kryesore ku do të përqendrohen investimet lokale.
Veliaj shpjegoi se buxheti i ardhshëm do të fokusohet më pranë qytetarëve, duke mbërritur edhe në ato pika ku më parë nuk ishte ndërhyrë me investime për shkak të projekteve më të mëdha të qytetit.
“Kur vjen puna për investimet në infrastrukturë kemi ecur me një filozofi: Në mandatin tonë të parë, fokusi ishte shumë i madh te projektet ikonike. Nuk mund të thuash që jeton në kryeqytet dhe nuk ke një Pazar të madh, ndaj bëmë Pazarin e Ri, në Njësinë 2. Për një kryeqytet që sot është Kryeqyteti Europian i Rinisë dhe nesër mund të jetë edhe Qyteti Europian i Sportit, të mos ketë një shesh e një Park Olimpik, nuk kishte sens. Në mandatin e dytë, pa dëshirën tonë, fokusi më i madh ishte tek emergjencat, përballuam tërmetin, pandeminë, tani kemi luftën e mallkuar, e cila nuk është në dorën tonë. Vizioni i buxhetit për vitin 2023 është fokusi në nivel kapilar i çdo lagjeje, i çdo rruge apo rrugice, i çdo pallati, i çdo fshati. Jo se nuk e kemi bërë, por kemi vendosur që këtë vit duhet ta rrisim në maksimum,” tha Veliaj.
Kreu i Bashkisë përmendi disa nga rrugët kryesore që do të shtrohen në këtë njësi: “E para, ka të bëjë me rehabilitimin e sheshit përpara Degës së Thesarit në Tiranë, që është rruga “Mustafa Lleshi”. E dyta është ndërtimi i rrugës “Arif Hasko” dhe degëzimet. E treta, rikonstruksioni i rrugës “Xhorxh Bush” dhe rehabilitimi i fasadave. Ndërkohë, kemi miratuar një rehabilitim të fasadave të rrugës “Luigj Gurakuqi” deri tek sheshi “Avni Rustemi”, me parkim dhe dy kate nëntokë. Bëhet fjalë për rrugën nga Partizani i Panjohur deri te Pazari i Ri. Do rregullojmë të gjitha fasadat, të gjitha dyqanet dhe nuk do ketë fare dallim kur kalon nga sheshi Skënderbej deri tek Pazari i Ri, duke e kthyer të gjithën në një zonë me impakt ekonomik, se shumica e bizneseve të pazarit nga sheshi, praktikisht bëhen në atë rrugë. I gjithë sheshi Avni Rustemi do kthehet në parkim nëntokësor,” u shpreh Veliaj. Kreu i Bashkisë përmendi edhe disa projekte të rëndësishme si: një rrjet të ri kanalizimesh, rikonstruksionin e rrjetit të ujësjellësit etj.