Kreu i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla i është përgjigjur akuzave të Enkelejd Alibeajt lidhur me Portin e Durrësit. Balla tha se ndërkohë që në parlamentin grek opozita kritikonte qeverinë për humbjen e këtij investimi, opozitat në Shqipëri bënin garë kush sulmonte më shumë qeverinë për këtë investim në Durrës.
Reagimi i Plotë i Ballës:
Aleanca Rublave do të vazhdojë të sulmojë Portin Turistik të Durrësit, për hesap të bordorosë ku ata firmosin çdo ditë, për shkak të urrejtjes dhe tradhëtisë ndaj Shqipërisë dhe interesave të saj. Nuk ka shqiptare e shqiptar që nuk e ka kuptuar që ky sulm i opozitave është një turp dhe një poshtërsi e madhe në dëm të interesit të vendit.
Pak ditë më parë në parlamentin grek, vend anëtar i Bashkimit Europian, opozita kritikoi Qeverinë për humbjen e këtij investimi, me arsyetimin pse po shkon në Shqipëri dhe nuk e mori Qeveria greke për Portin e Selanikut. Ndërsa në Shqipëri opozitat janë vënë në garë me njëra-tjetrën se kush e sulmon më shumë Qeverinë pse pse e solli këtë investim në Durrës. O zot!
Projekti ka një vlerë investimi mbi 2 miliardë Euro me një impakt ekonomik direkt që përfshin të gjithë të ardhurat që do të gjenerohen nga zhvillimi i kësaj zone, si të ardhurat nga shitja e apartamenteve, hoteleria, ankorimi i anijeve e jahteve, etj.
Impakti Direkt përfshin gjithashtu punësimin e rreth 12.000 personave, fillimisht në ndërtimin e kësaj zone, më pas gjatë menaxhimit të saj si punësimi në hotele, në restorante, në njësi biznesi dhe shërbimesh. Zhvillimi i zonës do të sjellë për Durrësin përmirësim të infrastrukturës dhe faciliteteve urbane, forcimin e komunitetit, ofrimin e shërbimeve sociale, rivitalizimi të artit dhe kulturës në një mjedis turizmi elitar”
Reagimi i Balles ka ardhur, pas me heret kreu i Grupit Parlamentar i PD-së, Enkeljed Alibeaj i cili ka akuzuar se ky projekt është në shkelje të Kushtetutës, duke theksuar se pas miratimit në Kuvend, do e çojnë në Gjykatë.
Në një deklaratë nga Kuvendi, ai thotë se nga ky projekt shqiptarët nuk do të përfitojnë, siç kryeministri ka deklaruar, por do të dalin me humbje. Në llogaritjet e bëra të Alibeaj, shteti shqiptar humb 348.45 mln euro. Kreu i grupit të PD-së theksoi se kjo është një skemë që ka zero transparencë dhe shton rreziqet për pastrim parash.
“Nga përllogaritjet e bëra mbi dokumentacionin zyrtar rezulton se shteti shqiptar nëpërmjet dhënies së truallit, ndërtesave, përjashtimit nga taksat e ndikimit në infrastrukturë dhe strehimit social, si dhe heqja dorë nga fitimet vjetore të Portit Durrës, heq dorë nga 630 (628.45) milionë Euro. Ndërkohë, sipas biznes planit, në kushte ideale në përfundim të projektit, shteti shqiptar përfiton 280 milionë euro. Pra, diferenca ndërmjet asaj që shteti ofron me atë që merr në këmbim është 350 (348.45) milionë euro humbje”. (…)
Pra, shteti shqiptar nuk do të ketë asnjë informacion se si do të ndryshojnë aksionarët e kompanisë mëmë. Është fakt se sipërmarrësi privat ka ofruar vetëm 80 mln euro nga kapitalet e tij dhe 80 mln euro nga kreditë bankare, pra në total 160 mln euro, ndërkohë që paratë e tjera thuhet se do sigurohen nga borxhe, kredi apo investime nga të tretë dhe shitjet në fazë projektimi. Se kush janë këta të tretë mbetet e paqartë, por nuk është i largët skenari që pastrimi i parave që po bëhet sot në kullat e Tiranës, të përsëritet në rastin e portit të Durrësit”, tha Alibeaj.
Alibej vijon akuzat e tij duke e cilësuar si një aferë korruptive ndërtimin e këtij Porti që nuk do të bëjë gjë tjetër veçse mbylljen e bizneseve të zonës, dëmtimin e bizneseve të ndershme që veprojnë në sektorin e ndërtimit, luhatjet e mëdha në cmimin e pronave të qytetarëve. Ai ngre edhe disa pyetje, mes të cilave e përse një projekt i tillë nuk i nënshtrohet konsultimit publik dhe se çfarë do të ndodhë me Portin aktual.“Pra, një projekt, i cili do të ketë impakt mbi gjithë jetën e qytetit dhe qytetarëve, pasi do të sjellë mbylljen e bizneseve të zonës, dëmtimin e bizneseve të ndershme që veprojnë në sektorin e ndërtimit, luhatjet e mëdha në cmimin e pronave të qytetarëve, nuk i nënshtrohet një konsultimi publik, pra për të kuptuar se cfarë realisht duan qytetarët e Durrësit dhe sa dakord janë ata me këtë projekt. (…)Çfarë ndodh me portin aktual: Ajo që mungon në dokumentacion e sjellë dhe nuk thuhet asgjëkundi është se si do të realizohet transferimi i portit të Durrësit në Porto Romano? Cfarë kosto ka ky transferim? Kush i përballon këto kosto? A do të sjellë kjo kosto të rritura për qytetarët dhe bizneset? Qeveria nuk ka dhënë asnjë përgjigje për këto pyetje, por ajo që dihet është se vetëm projekti ka kushtuar 10 mln Euro, ndërkohë që zëra të pavarur ekspertësh thonë se transferimi i portit në Porto Romano mund të kushtojë deri në 1 miliard Euro. Pra, kush i merr përsipër këto kosto dhe a i ka kalkuluar qeveria shqiptare këto kosto shtesë për realizimin e projektit të Portit të Durrësit?”, shtoi deputeti demokrat.
Kjo dalje e tij për mediat, vjen vetëm pak ditë pas tentativës për mashtrim të grupimit te “Rithemelimit” pak orë para protestës, ku gënjyen se kanë dorëzuar në Kushtetuese marrëveshjen e Portit të Durrësit, ndërkohë që në fakt kishin çuar marrëveshjen e bashkëpunimit ekonomik me Emiratet e Bashkuara Arabe, në të cilën ky projekt përmendej vetëm në një gjysmë fjalie. Mirëpo, “gafa më e madhe” e kësaj historie është fakti se një marrëveshje ndërkombëtare nuk mund të çohet në ‘Kushtetuese’ pas ratifikimit, pra jo vetëm që nuk kanë çuar projektin e Durrësit, por edhe padia e bërë nuk ka asnjë vlerë.