Roland Bejko/Zhvillimi i protestës nga Sali Berisha në datën 6 dhjetor, ditën kur në Tiranë do mbahet një samit i rëndësishëm i BE-së për Ballkanin Perëndimor, është po aq e pistë sa protestat që zhvillonte Edi Rama kur ishte në opozitë në kohën kur do merrej vendimi për antarësimin e Shqipërisë në NATO. Është po aq absurde dhe qesharake sa ç’ishte ngritja e çadrës dhe greva e urisë së deputetëve socialistë para kryeministrisë në kohën kur BE do jepte vendimin historik për liberalizimin e vizave për lëvizjen e lirë të shqiptarëve në Evropë. Është po aq banale, sa ç’ishte bllokimi nga ana e Ramës të tre ligjeve, miratimi i të cilave do t’i jepte mundësinë Shqipërisë të merrte statusin e vendit kandidat për në BE, etj.
Ja pra, pse, prej kohësh jam duke thënë se Sali Berisha dhe Edi Rama janë njësoj. Të dy këta mbetje të punizmit ramizist, sa herë u duhet, për interesat e pushtetit të tyre personal, kanë qenë dhe janë gati t’i vënë flakën Shqipërisë duke e penguar integrimin e saj “në emër të luftës kundër korrupsionit dhe interesave të qytetarëve” nëse njëri prej tyre nuk është protagonisti i rradhës për të marë meritat historike të firmosjes së kapërcimit të etapës së rradhës. Kur firmos njëri, tjetri do ta pengojë nga xhelozia plot mllef, dhe anasjelltas.
Nëse Sali Berisha mendon vërtet se kancelaritë evropiane nuk e kanë idenë se çfarë thagmash korruptive dhe se çfarë rënimi i ka bërë Edi Rama demokracisë dhe ekonomisë shqiptare, dhe mbeti të sqarohen ata atë ditë me anë të një proteste, pikërisht duke zgjedhur për këtë qëllim ditën e gabuar, e gënjen mendja.
Partitë politike kur duan të komunikojnë çështje me partnerët ndërkombëtarë veprojnë nëpërmjet korridoreve të tyre diplomatike me anë të zyrtarëve të marrëdhënieve me jashtë, kontakteve të deputetëve të parlamentit me homologët respektivë, komunikimet e drejtëpërdrejta të lidershipit të partisë përkatëse me kryetarët e partive simotra evropiane që për fat të mirë janë edhe shumicë në qeveritë dhe parlamentin evropian, apo dhe me organizatat e ndryshme të lobimeve pranë Brukselit zyrtar, vë në veprim miqësitë personale me këto personalitete, etj.
Sali Berisha i njeh mirë këto metoda të informimit zyrtar të ndërkombëtarëve dhe duhet ta përdorte me efikasitet komunikimin me ta, në rast se beson vërtet se ambasadat e vendeve të tyre, apo zyra e përfaqësisë së BE-së në Tiranë u fshehin të vërtetën qeverive për ato që ndodhin me qeverinë, shtetin dhe demokracinë shqiptare.
Në vitet 2000-2001, kohë kur Ilir Meta si kryeministër bëri një masakër zgjedhore të njëjtë me atë të 1996-ës, Sali Berisha ia hipi avionit duke shkuar në çdo kancelari e forum ndërkombëtar për t’i sqaruar nga afër zyrtarët perëndimorë, me prova e fakte, dhe pati sukses, gjeti mbështetjen e tyre.
Pas kësaj pune të lavdërueshme nga ana e tij, ndërkombëtarët e detyruan qeverinë socialiste të ulej në dialog me PD-në dhe të lëshonte pushtet dhe institucione. U mor nga opozita Presidenti konsensual, Kontrolli i Lartë i Shtetit, (KLSH), Komisioni i Kthimit të Pronave etj.
Atëherë për çfarë i duhet Sali Berishës protesta e datës 6 dhjetor, kur e di që nuk do prodhojë asgjë konkrete?! Ai e di shumë mirë që kryetarët e shteteve të BE-së e njohin realitetin shqiptar shumë më mirë se ndoshta edhe vet shumica e shqiptarëve. Ata kanë në dispozicion jo vetëm buletinet e përditshme që ambasadat dërgojnë pranë qeverive të tyre, por edhe informacionet nga mediat, nga shërbimet sekrete të inteligjencës, nga institucionet policore që luftojnë kriminalitetin, korrupsionin dhe trafiqet e ndryshme në Evropë, nga indikatorët e institucioneve financiare që gjurmojnë Euron dhe Dollarin, nga raportet e DASH-it, nga bota e biznesit, nga botimet e organizatave joqeveritare, nga institucionet donatore, etj, etj.
Perëndimi e njeh mirë Edi Ramën. Siç njeh mirë edhe Sali Berishën të cilin e kanë shpallur non grata jo vetëm SHBA-të, por edhe Britania e Madhe, vendim që e kanë mirëkuptuar edhe qeveria franceze, gjermane dhe shumica e qeverive të BE-së. Nëse kështu siç po them unë, Sali Berisha nuk ka pse proteston, por le t’ia hipë avionit e të shkojë në Bruksel, Strasbourg, Paris, Berlin a Romë dhe ta shikojë sa do ta presin, sa do ta dëgjojnë, sa do ta besojnë dhe sa do ta përkrahin. Kam përshtypjen se ai e di që të shkojë vet e ka të pamundur, sepse ata nuk e presin.
Ai nuk mund të shkojë në Perëndim sepse është i refuzuari i madh i tyre. Ndaj shpreson tu tërheqë vëmendjen me zhurma e potere. Ata e dinë kush është dhe çfarë bën me pushtetin Edi Rama, por e mbështesin. E mbështesin dhe do ta mbështesin për aq kohë sa pretendenti, suksesori për t’i zënë vendin atij, të jetë Sali Berisha.
Prandaj Sali Berisha ka vendosur të protestojë në ditën kur ata do jenë në Shqipëri. Ashtu siç e kanë shpallur ata “non grata”, dhe Berisha me turmën e tij që e ndjek pas qorazi, kërkon t’u japë liderëve perëndimorë të njëjtin mesazh, t’u thotë se “edhe ju zotërinj të Evropës jeni “non grata” në Shqipëri për aq kohë sa duke refuzuar mua, pranoni ta drejtojë Shqipërinë një hajdut edhe më i madh dhe më i rrezikshëm se unë.
Berisha do kujdeset që në datën 6 dhjetor të ketë sa më shumë mbështetës. Ai do t’u tregojë evropianëve se kanë gjetur të refuzojnë njeriun e gabuar, pasi ai është i fortë, ka mbështetje, dhe me çetën e vet të militantëve është në gjendje po të dojë, t’i vërë zjarrin Shqipërisë dhe pse jo, ta destabilizojë gjithë Ballkanin.
Natyrisht, Sali Berisha nuk ka si t’u thotë mbështetësve të tij “hajdeni të protestojmë për hallin tim kundër Evropës”. Kështu nuk do ta ndiqte kush pas. Por ai i fton ata të protestojnë për hallet e tyre, për varfërinë, korrupsionin shkatërues të Edi Ramës, mungesën e votës së lirë, deformimin e demokracisë, mungesës së shtetit ligjor, krimit të organizuar, etj.
Unë nuk kam asnjë të dhënë se Berisha e bën këtë protestë në datën 6 dhjetor, ditën kur një samit i rëndësishëm i BE-së do të zhvillohet në Tiranë për interesa të shteteve që nuk e duan integrimin e Shqipërisë dhe Ballkanit Perëndimor në familjen evropiane.
Por ama, thirrja e protestës pikërisht atë ditë të rëndësishme për të ardhmen evropiane të shqiptarëve, bie erë. Bie erë shumë të keqe! A meriton të protestohet kundër regjimit të korruptuar të Edi Ramës? Patjetër që po.
Por ajo protestë mund të mbahej më datën 4 dhjetor për shembull, datë që përkon edhe me ditën e fillimit të protestave të studentëve të 1990-ës kundër diktaturës komuniste. Mund të protestohej edhe në datën 8 dhjetor që është dita e rinisë. Ose, mund të kremtohej 32 vjetori i themelimit të PD-së më 11 dhjetor, me një protestë masive. Këto data bëjnë sens.
Por të protestosh kundër Edi Ramës në një nga ditët më të rëndësishme për Shqipërinë dhe rajonin tonë, për çështje për të cilat si Brukseli dhe kryetarët e shteteve evropiane janë në dijeni të plotë, kjo i bind edhe më tepër perëndimorët se Sali Berisha mbetet po ai ballkanasi i pakorrigjueshëm që mendon veç për interesat e veta dhe jo të popullit të vet. Ata do binden edhe më shumë se pavarësisht përvojës së gjatë politike, ai kurrë nuk u ngjit në lartësinë e një burri shteti që mbi intetesat e veta personale, apo politike të partisë së vet, të vendoste interesat e larta të vendit dhe gjeneratave që do vijnë.
Kur zhvillohen samite të ndryshme në vendet perëndimore, jo pak herë kemi parë të ketë edhe protesta. Madie të mëdha, e shpesh të dhunshme. Demokracia i pranon këto teka. Por në asnjë rast, ato nuk kanë qenë protesta të organizuara nga partitë e mëdha politike, të cilat për t’u shprehur, kanë aksese të mjaftueshme institucionale. Rruga dhe protesta janë privilegj i të dobëtve në demokraci. I atyre që nuk kanë hapësira të tjera institucionale për tu shprehur e për të qenë të dëgjuar nga të tjerët.
Në mendimin tim, me këtë protestë Sali Berisha po i bën perëndimorët të besojnë se duke zgjedhur Edi Ramën si partner, kanë zgjedhur të keqen më të vogël në raport me vet atë. Me këtë protestë Sali Berisha po i bën një shërbim të jashtëzakonshëm Edi Ramës duke ia rritur edhe më mbështetjen ndërkombëtare për të marrë edhe një mandat të ri qeverisës.
Sali Berisha me protestën e tij të 6 dhjetorit po u fut thikën pas shpine interesave të demokratëve që shpresojnë dhe besojnë se me të në krye mund ta rrëzojnë një ditë të shpejtë Edi Ramën nga pushteti. Me këtë protestë ai kërkon t’i shpëtojë krizës së idenditetit që përjeton prej kohësh. Me këtë protestë Berisha kërkon të idendifikohet para perëndimit: “Unë protestoj, ndaj ekzistoj!”
Ndaj sa më herët të kuptohet prej demokratëve se rruga për të hequr Edi Ramën nga pushteti, është ajo që u ka sugjeruar amerika zyrtare, braktisja, lënia vetëm e Sali Berishës në marrëzitë e tij duke luftuar me fuqitë e mëdha perëndimore që e kanë shpallur non grata, si Don Kishoti me mullinjtë e erës, aq më mirë është për ta, aq më mirë është për gjithë PD-në.
Nuk besoj se ka diku një mendie normale që ta besojë këtë metamorfozë të llahtarshme që ka pësuar një pjesë e madhe e drejtuesve të Partisë Demokratike që 32 vite më parë u themelua nën moton “ta bëjmë Shqipërinë si gjithë Evropa”, dhe sot që diskutohet seriozisht e ardhmja evropiane e Shqipërisë pikërisht në Tiranë, anëtarët dhe mbështetësit e kësaj partie e krijuar me frymëzim perëndimor, të protestojnë duke ndjekur nga mbrapa marrëzinë e një personi të inatosur me perëndimin që nuk e do më për partner.
Mirë PD-në që e mban peng forcërisht, por me sa duket ambicjet e Sali Berishës janë të tilla që forcërisht të mbajë peng dhe të ardhmen evropiane të fëmijëve dhe nipave tanë. Perëndimi ka refuzuar vetëm Berishën dhe familjen e tij. Nuk ka refuzuar shqiptarët. Prandaj askush nuk ia ka borxh që t’i paraqesë shqiptarët si turma dumbabiste, antiperëndimore.
Prej mëse një viti i armatosi militantët e vet me arsenalin e urrejtjes kundër Shteteve të Bashkuara të Amerikës, tani kërkon t’i karrikojë ata edhe me helmin e urrejtjes ndaj Evropës së Bashkuar vetëm pse bashkëpunojnë për integrimin e vendit me qeverinë shqiptare, dhe pavarësisht opinionit të brendshëm që kemi ne për këtë qeveri të korruptuar, shqiptarët e meritojnë qytetarinë evropiane. Çelja e negociatave me BE-në, do jetë shpëtimi i demokracisë shqiptare, instalimi i shtetit të së drejtës, dhe zhvillimi i ekonomisë sipas rregullave dhe standarteve të konkurencës në një treg të lirë.
Ps. Ilir Meta ka shansin e artë ta refuzojë pjesëmarrjen në këtë turp-protestë antievropiane, ose të kërkojë zhvendosjen e datës para, apo pas samitit.