Sali Berisha duket se konfirmon mbajtjen e protestës më 6 dhjetor, kur liderët europianë të vijnë në Tiranë për samitin BE-Ballkani Perëndimor.

Në konferencën e përjavshme për shtyp, ndonëse nuk e thotë datën, Berisha u shpreh se qëllimi është që Europa të dijë cilat janë problemet e shqiptarëve.

“Sot është mbledhja e Kryesisë dhe unë do sugjeroj vendimin për mbledhjen e radhës. Europa vjen në Tiranë, Shqipëria duhet të vij në Europë, në Tiranë. Ky është mendimi im. Protesta të jetë paqësore, dinjitoze, duke garantuar asnjë lloj vështirësie, përveç mikpritje për krerët e BE. Duke nderuar Shqipërinë me një përfaqësim tjetër nga ai që bën Edi Rama.

Cila do jetë dita, këtë do e përcaktojë Kryesia e Partisë. Kjo është mundësi për të gjithë shqiptarët, për të madh e të vogël, për të sjellë në skenë problematikën e madhe me të cilën përballen ata.

Protesta e parë dridhi themelet e regjimit të narko-shtetit shqiptar. Ishte triumf i popullit opozitar mbi narko-kracinë dhe monizmin e plotë. Protesta e dytë, varet nga dita se nuk është caktuar akoma, por ajo synon të sjellë në skenë problematikën e tmerrshme që kanë shqiptarët me në krye Edi Ramën.

Të vërtetat e mëdha të kombit duhet të dalin një nga një. Është e vërtetë që është një ngjarje e rëndësishme për vendin, por populli që paraqitet sot si popull gomonesh, duhet të thotë të vërtetat e tij në mënyrë më demokratike. Populli i gomoneve është bërë nga Edi Rama”, tha Berisha.