Nga Artur Ajazi
Kur para viteve ’90, mbërrinin në repartet ushtarake ushtarët e rinj, të gjithë i quanin “rrula”. Dhe kështu i mbetej atyre deri ditën kur largoheshin ushtarët e vjetër, që quheshin “daja”, pasi bashkë nuk shkonin aspak mirë mes tyre. Kjo po ndodh me Partinë Demokratike. Ata që kanë ardhur bashkë me Lulzimin, akoma dhe sot quhen “rrula”, dhe do të mbeten të tillë deri ditën kur të ikin Berisha me të vetët. Askush nuk mendon dhe nuk beson, se “rrulat” dhe “dajat” një ditë të bukur do të ribashkohen, në emër të idealit… Ata kanë ndasi të theksuara mes tyre, kanë inate të vjetra dhe të reja, pasi një palë duan të mbajnë të paprekur vendin e tyre, kurse pjesa tjetër, duan ti përzënë por nuk munden. Lufta mes llojit ka nisur dhe nuk ka gjasa të mbarojë derisa në seli të shkelë këmba e ish-liderit dhe atyre që ai mban fort pas vehtes.
Këta të fundit, janë pothuajse më armiqësorë se vetë Berisha me “rrulat” e partisë. Ajo forcë politike, ka kohë që ngjet me një repart ushtarak të tipit enverist, dhe kjo pengon seriozisht ndryshimet rradikale që do të mund të riformatonin opozitën aktuale. Askush nuk shprehet se “shpresoj tek PD, shpresoj tek Berisha, shpresoj tek protesta e opozitës, apo dhe shpresoj se Edi Rama do të ikë nga pushteti”. Kjo për faktin, sepse nuk shohin tek opozita e “rrulave” dhe “dajave” frymëzimin për ndryshim politik. Ata kanë qenë dhe kanë mbetur me të njëjtin mentalitet, me të njëjtin fjalor, me të njëjtin emër që ka drejtuar dhe duhet të drejtojë partinë. Ata e shohin Berishën siç kinezët shohin Mao Ce Dunin, të pazëvëndësueshëm, të “pakorruptueshëm dhe të përjetshëm”. Dhe pikërisht këtu e ka zanafillën shpërbërja e asaj partie. Edhe pse dikush nisi të përplasej me ish-liderin, ai shprejt u venit, u mërzit, u frikësua, u gjunjëzua, dhe ka nisur të lëkundet ose rrijë në skutën e tij. I mjafton rroga e deputetit, ndonjë përfitim tjetër, dhe asgjë më shumë. Askush nuk mendon se, “primaret e Berishës”, do të riformatojnë partinë, aq më keq, do të ribashkojnë grupimet e përçara, pasi kujtojnë ç’kanë hequr nën pushtetin e tyre, kujtojnë ç’kanë humbur dhe do të humbin sikur ata të rimarrin sërish pushtetin. Shqiptarët prej vitit 2013, kanë prekur dhe po përjetojnë ribërjen e shtetit ligjor, rritjen e investimeve në çdo qytet dhe zona rurale, dhe janë dëshmitarë akularë të rritjes së mbështetjes ndaj shtresave në nevojë si asnjëherë tjetër në 32 vjet.
Shteti që po ringre Edi Rama, është ligjor dhe jo krahinor, është i shqiptarëve dhe jo agallarëve, dhe kjo natyrisht nuk mund të pranohet nga partia e “rrulave” dhe “dajave”. Ata janë mësuar me anarshinë, ata nxisin dhe shijojnë kaosin institucional, dhe përdhosjen e zbatimit të ligjit, pasi i tremben largimit dhe ndëshkimit nga drejtësia. Partia e tyre, ka shpallur “armik” kryeministrin e vendit, SHBA-në, ambasadorët e vendeve perëndimore, dhe janë ngujuar në “repartin e tyre ushtarak”, deri ditën kur shqiptarët ti ndëshkojnë sërish me votën e lirë