Shqiptarët e kanë humbur besimin te SPAK dhe të gjitha anketat e zhvilluara, vendase e të huaja kanë treguar se arsyeja është një dhe e thjesht; mosveprimi i prokurorisë së posaçme përballë aferave të dyshuara korruptive ulëritëse.

Mes tyre janë një mori dosjesh të vjetra e të reja të Ilir Metës që flenë prej muajsh e vitesh në sirtaret e drejtësisë. Nga lobimi i dyshuar me para korruptive në SHBA, akuza për falsifikim dhe përvetësim të funksioneve shtetërore me ndryshimin e mbiemrit nga Metaj në Meta pa asnjë akt ligjor, dosja CEZ-DIA deri te operacionet plastike të Monika Kryemadhit në klinikat më të shtrenjta europiane.

Për të gjitha këto, shqiptarët kanë pritur me kërshëri nga drejtësia e re një përgjigje. Vonesat e kësaj përgjigjeje kanë zbehur edhe besimin e tyre te reforma. Por, veç qytetarëve besimi e lodhja mund të kaplojë edhe ndërkombëtarët, që në këto vite kanë investuar gati 60 milionë euro që ‘askush të mos jetë mbi ligjin’.

Kur thuhet askush mbi ligjin sigurisht që ‘askushi’ nuk është ai qytetari i thjeshtë, që kapet duke dhënë rryshfet, as zyrtari i një bashkie që ka firmosur një tender të dyshimtë me vlera disa mijëra euro për hapje kanalesh vaditëse në Myzeqe.

‘Askushi’ janë peshqit e mëdhenj, siç i quante ish-Ambasadori Donald Lu kur nxiste reformën në drejtësi. Fatkeqësisht, asnjë peshk i madh nuk ka rënë në rrjetën e drejtësisë së re. Ilir Meta është njëri prej tyre që po i shpëton përballjes me të vazhdimisht.

Meta po hetohet nga SPAK për korrupsion pasiv parashikuar në nenin 259 të Kodit Penal, vepër e cila dënohet me burgim nga 3 deri në 8 vjet. Gjithashtu, Meta po hetohet edhe për falsifikimin e vulave, stampave ose formularëve, parashikuar në nenin 190/3 të Kodit Penal, vepër për të cilën parashikohet nga 3 deri në 7 vite burg.

Bashkangjitur kallëzimit penal janë kontrata e lobimit, raporti financiar i LSI në vitin 2017 si dhe deklaratat e pasurisë së Metës, Kryemadhit dhe Vasilit për vitin 2017 dhe dosjes i bashkangjiten edhe formulari i dekriminalizimit të Ilir Metës, certifikata në gjendjen civile dhe aktet e dekretet ligjore që ka firmosur në Presidencë, apo detyra të tjera që ka mbajtur në institucionet shtetërore.

Megjithë morinë e provave që janë bërë publike e denoncuar mediatikisht, SPAK nuk ka reaguar. Se çfarë e bllokon reagimin e Prokurorisë së Posaçme, vetëm drejtuesi i saj Arben Kraja e di. Ky i fundit mbyll drejtimin e Prokurorisë së Posaçme në fund të muajit dhjetor dhe arritja më e madhe në këtë detyrë, ndoshta do të jetë kthimi i shumicës së shqiptarëve në mosbesues ndaj drejtësisë së re./ Voxnews.al