A mund të krijohet një gjykatë speciale ndërkombëtare për krime të Rusisë dhe presidentit Putin? Cili do të ishte mesazhi? Për këtë çështje flet për DW profesori i të drejtës ndërkombëtare Claus Kreß.
Parlamenti i Ukrainës i ka bërë thirrje komunitetit ndërkombëtar që të krijojë një gjykatë të posaçme ndërkombëtare për krime të luftës gjatë agresionit rus kundër Ukrainës. Në një intervistë për DW, Claus Kreß, ekspert i të drejtës ndërkombëtare në Universitetin e Kölnit, shpjegon funksionin e juridiksioneve të tilla, pse një tirbunal i tillë është i mundur edhe pa pëlqimin e Rusisë dhe pse një dënim i presidentit rus Vladimir Putin nuk është absolutisht i nevojshëm.
DW: Z. Kreß, çfarë do të ishte gjykata speciale ndërkombëtare e kërkuar?
Claus Kreß: Gjykata speciale duhet të merret me akuzën për agresion. Kjo është shumë e rëndësishme për Ukrainën, sepse ka të bëjë me akuzën për luftë. Nga këndvështrimi shumë i kuptueshëm i Ukrainës, lufta agresive është “mëkati origjinal” që hapi rrugën për keqbërjet e panumërta gjatë luftës, për krime lufte.
Prof. Dr. Claus KreßProf. Dr. Claus Kreß
Sa real është për Gjermaninë krijimi i një gjykate të tillë speciale?
Gjermania sikur edhe një numër i madh vendesh të tjera, akoma nuk ka marrë një vendim për këtë çështje. Kjo nuk është për t’u habitur duke qenë se ka një sërë çështjesh jo të lehta ligjore dhe politike për t’u zgjidhur. Bisedimet kohët e fundit kanë marrë një vrull të konsiderueshëm, por nuk mund të them se kur do të përfundojnë.
Si do të duket në praktikë krijimi i një gjykate speciale?
Aktualisht po diskutohen modele të ndryshme. Sipas mendimit tim, mënyra e preferuar do të përbëhej nga dy hapa: i pari do të ishte një rezolutë e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara. Që kjo të ndodhë, duhet të sigurohet paraprakisht shumica e nevojshme. Sepse do të ishte shumë për të ardhur keq, jo vetëm nga pikëpamja e Ukrainës, nëse votimi përkatës në Asamblenë e Përgjithshme do të dështonte.
Përgjegjësia penale për krimin e agresionit bie ndaj udhëheqjes politike dhe ushtarake të Rusisë me presidentin Putin në krye Përgjegjësia penale për krimin e agresionit bie ndaj udhëheqjes politike dhe ushtarake të Rusisë me presidentin Putin në krye.
Megjithatë, ndryshe nga Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara, Asambleja e Përgjithshme nuk mund të krijojë një gjykatë penale ndërkombëtare. Por në emër të Kombeve të Bashkuara, ajo mund të shprehë dëshirën e bashkësisë ndërkombëtare për ta bërë këtë. Kjo do të ishte e një rëndësie të madhe për çështjen e legjitimitetit të një gjykate të tillë.
Më pas Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara mund të lidhë një traktat ndërkombëtar me Ukrainën për krijimin e gjykatës.
Sa mund të zgjatë kjo procedurë?
Procedurat penale janë procese komplekse. Hapi i parë do të ishte fillimi i hetimeve, pra sigurimi i provave dhe, për aq sa kjo është relevante, përcaktimi i të akuzuarit dhe justifikimi i saktë i pretendimeve përkatëse. Ky në vetvete është një proces shumë kërkues. Ndërsa krimi i agresionit është i sanksionuar fort në të drejtën ndërkombëtare zakonore, por në realitet ka pasur shumë pak procedura të tilla ndërkombëtare. Procedurat para gjykatave ushtarake në Nuremberg dhe në Tokio mbeten precedentët vendimtarë ushtarakë edhe sot e kësaj dite, pas Luftës së Dytë Ndërkombëtare. Prandaj çdo hap në procedurën penale të bazuar në dyshimin për agresion duhet të konsiderohet me kujdes. Për këtë shkak, nuk duhet pritur në asnjë rrethanë një proces me shpejtësi të lartë.
Presidenti rus është në qendër të akuzave për krimin e agresionit, por përgjegjës për krimet janë dhe shumë të tjerë në nivelet më të ulëta të hierarkisëPresidenti rus është në qendër të akuzave për krimin e agresionit, por përgjegjës për krimet janë dhe shumë të tjerë në nivelet më të ulëta të hierarkisë.
Por edhe fillimi i hetimeve nga një gjykatë penale ndërkombëtare do të dërgonte mesazhin jashtëzakonisht të rëndësishëm se bashkësia ndërkombëtare po e merr seriozisht dyshimin për një krim agresioni vdekjeprurës. Kështu i jep asaj jo më pak rëndësi se pretendimet për krime lufte, krime kundër njerëzimit dhe gjenocid mbi të cilat Gjykata Penale Ndërkombëtare ushtron juridiksionin e saj në situatën e Ukrainës.
A duhet të përfundojë lufta përpara se të fillojnë gjykimet?
Në rastin e Nurembergut dhe Tokios, por edhe në pjesën më të madhe të procedurave para gjykatave penale ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë dhe Ruandën, gjykimet kanë filluar pas përfundimit të fazës së nxehtë të konflikteve. Por gjykimet janë në parim të mundshme para përfundimit të luftës. Situata ndryshoi mbi të gjitha me themelimin e Gjykatës Ndërkombëtare Penale (në vitin 2002). Kjo gjykatë është institucion i përhershëm dhe mund të aktivizohet në kuadër të kompetencës së saj sapo të lindin dyshime.
Nëse vijnë urdhërarrestet dhe aktakuzat, me çfarë problemesh do të përballet drejtësia penale ndërkombëtare?
Krimi i agresionit është një krim i udhëheqjes. Pra, bëhet fjalë për përgjegjësinë penale të udhëheqjes politike dhe ushtarake të Rusisë, në krye me presidentin Putin. Por sfida kryesore praktike që rezulton është ajo që vlen edhe për Gjykatën Penale Ndërkombëtare: të dyshuarit rusë që ndodhen në territorin rus nuk do të nxirren para drejtësisë për sa kohë që regjimi aktual mbetet në pushtet.
Nëse supozojmë se regjimi i Putinit ndryshon vetëm pas vdekjes së Putinit, a do të thotë kjo se të gjitha janë të kota?
Jo, sigurisht që presidenti rus është në qendër të akuzave, të paktën akuzave për krimin e agresionit. Por presidenti Putin nuk është i vetmi i dyshuar. Në rastin e krimeve të luftës të kryera në mënyrë sistematike, krimeve kundër njerëzimit dhe gjenocidit, zakonisht ka nga ata që janë përgjegjës kryesorë në krye të sistemit përkatës, por edhe ata që janë përgjegjës në nivelet më të ulëta të hierarkisë, deri te ata që kryejnë mizoritë në vend. Prandaj dyshimi në asnjë mënyrë nuk drejtohet vetëm kundër një personi.
Unë mendoj se duhet të merrni parasysh edhe diçka tjetër: sigurisht, nëse autori është fajtor, qëllimi i procedimit penal përmbushet plotësisht vetëm në dënimin dhe ekzekutimin e dënimit. Por vetë fillimi i hetimeve është një shenjë për botën se po bëhet gjithçka që është e mundur për të hetuar dyshimin për një krim sipas ligjit ndërkombëtar. Edhe një urdhërarrest ndërkombëtar mund të kufizojë lirinë e lëvizjes së një të dyshuari, e një aktakuzë mund të kontribuojë në delegjitimimin e një lideri.
Claus Kreß është profesor i të drejtës penale dhe ndërkombëtare, mban katedrën për të drejtën penale gjermane dhe ndërkombëtare në Universitetin e Kölnit dhe drejton Institutin për të drejtën paqeruajtëse atje.
Intervistën e zhvilloi: Olena Perepadya./DW