Kupa e Botës të ngre, Kupa e Botës të ul. Ndonjëherë të ngre shumë, nëse jeni të mirë për ta shfrytëzuar atë, duke e vënë veten në “vitrinë”. Epo, Adrien Rabiot nuk e ka shpërdoruar këtë koncept, pasi ka zënë qendrën e skenës në debutimin e tij ndaj Australisë në “Katar 2022”.
Pas një goli, një asisti dhe një loje të shkëlqyer, mesfushori ishte i sinqertë duke pranuar për shtypin italian: “Këto paraqitje më ndihmojnë në merkato të shkoj diku tjetër, por edhe të flas me Juventusin. Sidoqoftë, tani fokusi im është te Kupa e Botës”.
Në të njëjtën mënyrë si ai u përgjigj tetorin e kaluar në një konferencë për shtyp para Champions-it, megjithatë nuk ka asnjë garanci për qëndrueshmëri në Torino: “Nuk e di ende dhe nuk është koha për të folur për këtë”.
Rabiot është në vitin e fundit të kontratës. Në janar ai do të ishte tashmë në gjendje t’i premtonte vetes një klub tjetër, pa pasur nevojë të kalonte përmes Juventusit, ashtu siç bënë bardhezinjtë në verën e 2019 duke anashkaluar PSG-në.
Aktualisht ai fiton 7 milionë e gjysmë në sezon, por nëna-agjente (Veronique) tashmë ua ka bërë të qartë atyre që janë afruar me druajtje për të kërkuar informacion mbi të ardhmen e fëmijës së saj se do të marrë në konsideratë vetëm oferta dyshifrore. Në këto kushte, Seria A duket më larg se Premier League, të cilën vetë lojtari e konsideron një kontekst ideal për karakteristikat që ka.
Verën e kaluar lojtari u afrua me Manchester United. Juve gjithashtu ra dakord, por mungesa e marrëveshjes për pagën dhe komisionin e agjentit “shpërtheu bankën” pas disa takimeve në dukje fitimprurëse. E ardhmja është ende një faktor i panjohur, pavarësisht se Adrien është shumë afër Allegrit dhe Juventusit.