Kryeministri Edi Rama në takimin me fermerët në Dvoran të Korçë u tha se nuk duhet të pajtohemi me shqetësimet e opozitës për bujqësinë. “Pasqyrimi i vetëm gjysmës së parë të së vërtetës prodhon një gënjeshtër shumë të madhe që në Shqipëri bujqësia është thjeshtë një shkretëtirë ku një grusht njerëzish lëngojnë të braktisur nga shteti. Kjo është një gënjeshtër shumë e madhe për faktin se bujqësia sot është si asnjë vit dhe asnjë ditë më parë deri më sot, por patjetër në raport me aty ku duam të arrijmë dhe do arrijmë, pa diskutim, jemi ende në hapat e parë pas një ringritje.”- tha Edi Rama. Këtë argument e ilustroi me fonde për bujqësinë për vitin e ardhshëm që përkon edhe me fushatën e zgjedhjeve lokale.

“Bujqësia këtë vit është mbështetur me fondin më të lartë të mbështetur ndonjëherë, që është gati 50 milionë dollarë dhe 50% më shumë sesa fondi i miratuar në fillimit viti për shkak të, natyrisht, krizës dhe për shkak të nevojës për të mos i lënë fermerët vetëm, duke iu dhënë 8 milionë litra naftë pa taksa.”- tha Edi Rama.
Kjo ishte receta shëruese e kryeministrit për ata fermer në pamundësi të shesin produktet.

“Nëse bëhen bashkë, atëherë askush nuk mbetet në rrugë të madhe dhe vlera e prodhimit shtohet sepse ke sasi më të madhe, ke cilësi më të garantuar dhe kur ke sasi më të madhe dhe cilësi më të garantuar, ke fuqi negociuese tjetër me tregun. Tjetër është të dalësh vetëm në treg me 5 kilogram dhe tjetër është të dalësh me 500 kilogram.”- tha Edi Rama.