Kryeministri Edi Rama tha sot nga Korça se lufta në Ukrainë ka ndikuar edhe jetën e qytetarëve shqiptarë, si në të gjithë botën, me rritjen e çmimeve.

Në një takim me qytetarët e Korçës, ku u paraqitën projektet por edhe sfidat me të cilat përballet vendi, Rama tha se “sot është botërisht e ditur që jemi në një luftë, sepse jemi në një hapësirë gjeografike dhe jemi të rreshtuar në një krah të botës që është përfshirë në këtë luftë, jo për shkakun tonë. Të ishte për ne, për Shqipërinë, s’do të kishte pasur luftë. Lufta e nisur nga Putini në Ukrainë nuk është një luftë që lidhet thjesht me Ukrainën”.

“Ukraina është sebepi. Synimi është gjunjëzimi i gjithë krahut perëndimor të hartës së Rusisë, i të gjithë bashkësisë euroatlantike, i të gjitha vendeve që janë pjesë e një aleance të bazuar në disa parime dhe vlera dhe të pozicionuar qartësisht në një qëndrim që shkon kundër idesë, vizionit, planit hegjemonist, imperialist të diktatorit të Kremlinit. Kush thotë sot se nuk ka luftë, se është një propagandë e Edi Ramës, e kësaj qeverie, e këtij regjimi të korruptuar, thotë atë që duhet të thonë forcat që i shërbejnë Rusisë. Këtë e thotë çdo forcë që i shërben luftës së Vladimir Putinit. S’ka luftë – këtë thotë edhe ai vetë – më vjen keq që propagandojnë një luftë që nuk është fare e vërtetë, ka vetëm një operacion policor special kundër neonazistëve për të mbrojtur nga gjenocidi rusët, etj., etj.”, nënvizoi Rama.

Kreu i qeverisë u shpreh se “kjo është shumë e rëndësishme. Kjo është arsyeja që ne sot jemi në një situatë jo të lehtë, pasi bombat bien në Ukrainë, plagët fizike hapen në Ukrainë, shkatërrimet ndodhin në Ukrainë, por lufta ka prekur drejtpërdrejtë çdonjërin prej nesh, çdonjërën prej familjeve tona e çdo biznes në këtë krah të botës”.

Rama tha se “Putini e ka kthyer energjinë në armë kundër nesh duke qenë furnizuesi kryesor me gaz i Europës. Ne kemi lidhje drejtpërdrejtë me furnizimin me gaz, ne kemi lidhje me çmimin e energjisë, i cili është influencuar nga rritja marramendëse e çmimit të gazit. Përveç energjisë, edhe inflacioni i luftës është një virus që prek të gjithë në jetën e përditshme, pasi sa herë do fusin dorën në xhep do na kapë dorën e do kërkojë pjesën”.