SHKODËR- Kryeministri Edi Rama ka kryer një inspektim në zonat e përmbytura në Shkodër. Kreu i qeverisë i shoqëruar edhe nga ministrja për Shtetin, si dhe drejtuesja politik e qarkut të Shkodrës Elisa Spiropali, bashke me prefekten Majlinda Angoni, u shpreh se situata nuk ka të krahasuar me 2010, pasi është përmirësuar tërësisht. Nga 12 mijë banorë të evakuuar, sot janë vetëm 22 tha kreu i qeverisë, duke ju referuar shifrave zyrtare.
‘Në Shkodër tek harku i Bërdicës, ku në krahasim me 2010-ën situata është përmirësuar tërësisht. Nga 12 mijë banorë të evakuuar atëherë, sot vetëm 22, nga 2800 banesa të përmbytura sot asnjë shtëpi e mbuluar nga uji, nga 14 mijë hektarë të përmbytur sot vetëm 1 mijë e 300 hektarë, të gjitha këto sipas të dhënave zyrtare të publikuara nga vetë Bashkia Shkodër.’- tha Rama.
Reshjet e dendura të shirave në ditët e fundit shkaktuan probleme në disa qarqe të vendit, e kryesisht situata ishte me problematike në Shkodër dhe në Lezhë, ku mijëra hektarë tokë ishin nën ujë, ndërsa disa familja u evakuuan. Ndërkohë situata ditën e sotme është përmirësuar ndjeshëm. Deri më tani janë 23 familje të evakuuara, 1 në Lezhë dhe 26 në Shkodër, e ndërsa në total janë 2985 ha që vijojnë të jenë nën ujë. Nuk ka pasur probleme sa i përket lëvizjes në akset e rrugëve në rajonin qendror dhe jugor të vendit.