Lagjet e reja, një kombinim i banesave individuale me ato kolektive, shërbimeve dhe rekreacionit janë modeli i ri i zhvillimit urban të qyteteve që u goditën nga tërmeti i 26 nëntorit 2019.
Një prej këtyre lagjeve është ajo “Rilindja” në Fushë-Krujë, ku janë ndërtuar qindra banesa për familjet e mbetura pa shtëpi nga tërmeti.
Kryeministri Edi Rama publikoi sot në rrjetet sociale pamje nga lagjja “Rilindja” në Fushë-Krujë, 3 vjet pas tërmetit.
Në kuadër të programit të rindërtimit në Fushë-Krujë janë ndërtuar 15 pallate, 100 apartamente, 167 shtëpi individuale.
Lagjja e re përfshin çerdhe, kopsht, qendër shëndetësore, shërbime administrative dhe një treg të madh për zonën.
Fushë Kruja ishte një nga zonat më të dëmtuara nga tërmeti i 26 nëntorit 2019. Zona e rindërtimit ndodhet 1 km larg nga qendra e qytetit dhe plani i zhvillimit shtrihet në një sipërfaqe prej 10 hektarësh ku ndërthuren banesat individuale, ndërtesat kolektive, institucionet arsimore dhe shërbimet.