Kryeministri Edi Rama ka kthyer në vëmendje një sipërmarrës që erdhi në kohën kur vendi drejtohej nga PD për të investuar në Portin e Durrësit, por pretendon se qeveria e asaj kohe kërkoi që ‘të ndanin shaminë përgjysmë’.
Kështu sipërmarrësi shkoi në Mal të Zi ku ndryshoi ‘Porto Montenegro’ çka solli rritje të pagave dhe përmirësim të të ardhurave të vendit.
“Ne jemi krenarë për kontratën që e sjellim për votim në Kuvend. Do të kemi kohë të përballim dokrrat. Dikur në kohën kur në Shqipëri sapo kishte nisur të qeveriste Napoleoni i gjirizave, zbriti një Piter Pan. Njeriu i duhur në kohën dhe vendin e duhur që ra mes minjve të gjirizit që kërkuan të kërcejnë napoleonin me shaminë përgjysmë. Ishte diku viti 2006. Iku me të katra sipërmarrësi për në Mal të Zi që ndryshoi përgjithmonë vendin fqinj me Porto Montenegro. Shihni bilancat e pagesës në Mal të Zi. Atje pati rritje të ndjeshme të rrogave në sektorin privat dhe publik. Hapni sytë. Po ç’ti hapni sytë, s’ju lë mallkimi që keni mision. Ai investim ishte 10 herë më i vogël se ky që do të bëjmë ne për Durrësin që nëse s’do ishte trajtuar si lodër në duart e tyre të pista, do kishim prej vitesh portin turistik dhe shqiptarët do kishin të mirat dhe të ardhurat e mëdha që do i sillte vendit tonë, jo Malit të Zi”, tha Rama.