Kryeministri Edi Rama njoftoi paraditen e sotme nga foltorja së Kuvendit se ka fituar një gjyq për shpifje me një opozitare të Foltores, sa i përket kontrollit bazë mjekësor, ‘Check Up’. Kreu i qeverisë zgjodhi të mos përmendë emrin e saj duke iu drejtuar të gjithë opozitarëve me termin “bedela”.
“Kam fituar një tjetër gjyq me shpifjet tuaja dhe shpifësit tuaj. Në këtë rast me një shpifëse të foltores për kontrollin mjekësor bazë dhe është dënuar si shpifëse. Nuk po ia përmend emrin se ju jeni të gjithë njësoj jeni të gjithë bedela, bishti i nonngratës”, tha Rama.
Por për cilën çështje e pati fjalën ai. Më 18 tetor 2018, pasi kryeministri Edi Rama beri nje check-up, Albana Vokshi, deputete e Partisë Demokratike ka publikuar në faqen e saj në Facebook, një postim ku e akuzonte Kryeministrin se gënjente për shifrat për ‘Check Up’, madje nënkuptonte edhe përdorimin e kokainës.
“Në vend që të japë dorëheqjen për dështimin me turp të check up-it, Edi Rama jep shfaqje në mbrojtje të koncesionit të vet më korruptiv prej 120 milionë eurosh. Pavarësisht manipulimeve, shantazheve dhe kërcënimit të mjekëve, vetëm 27% e shqiptarëve e kryejnë check up-in. Partia Demokratike do ta anulojë këtë koncesion korruptiv që është baza e degradimit të sistemit shëndetësor. Paratë e përfituara në kundërshtim me ligjin nga sponsorizuesja e Edi Ramës, Vilma Nushi, do t’i kthehen qytetarëve me investime serioze që i shërbejnë realisht shëndetit të qytetarëve. p.s. Nëse epruveta me kampionin e gjakut të Edi Ramës, nuk është marrë mbrapsht, uroj që të mos ketë gabime. Jo pak burra kanë dalë shtatzëne nga check up. Fati i keq i ndonjë tjetri, se nga analizat e gjakut, mund të rezultojë me dozë të lartë kokaine”, shkruante Vokshi.
Pas kësaj Kryeministri Rama e paditi Albana Vokshin për shpifje, dhe ditën e djeshme gjyqtari Dritan Caka, vendosi ta shpallë shpifje atë që kishte shkruar Vokshi dhe të pranojë padinë e Edi Rames dhe t’i kërkoje Albana Vokshit të paguaje një shume prej 100.000 leke (te reja) shpërblim demi jopasuror.