Artur Ajazi
Ai ka plot 32 vite që tallet me shqiptarët, vjedh me banda votat, fiton pushtetin me rrena dhe mashtrime, shkatërron shtetin për pushtetin, shpërthen depot e armatimeve, thyen ligjet dhe rregullat shqiptare, përzë dhe futet nga dritarja kur ikën nga dera e politikës, i imponohet sistemit dhe institucioneve, akuzohet për intriga, korrupsion, lidhje me rrjete të rrezikshme, shpallet non-grata, dhe ka 1 vit që mundohet të stacionojë në këtë vend struykturat e tij paralele me ato qeveritare.
Ai heton, hulumton, akuzon, gjykon, paralajmëron, dhe cakton data për “dorëheqjen” e kryeministrit ligjitim të Shqipërisë. Zgjedhjet e reja vendore, dhe vetëm ato, janë shansi i fundit për të rikthyer në shtëpi njeriun pengues të integrimit dhe zhvillimit të vendit. Humbja e rradhës, duhet ti japë atij njeriu një mësim të mirë. Në rast se ai vazhdon udhën e tij, pa e ndalur njerëzit e përgjegjshëm të mbetur në Partinë Demokratike, dhe në rast se organet e reja të drejtësisë vazhdojnë të tremben dhe treten para invazionit berishist, atëhere ky vend edhe për 3 dekada të tjera do të mbetet i pashpresë.
Nuk mund të nënshtrohet një klasë politike e përgjegjshme, qoftë edhe nga një njeri i vetëm. Nuk mund të përgjunjet një parti politike si Partia Demokratike, nga hija e një njeriu që shpreson ta mbajë peng vendin, dhe vetë forcën e tij politike. Ky është shansi i fundit. Ai njeri do të tejkalojë sërish cakun dhe pragun e gjithçkaje, do të sfidojë ligjin, institucionet, drejtësinë, faktorin ndërkombëtar, në rast se nuk ndalet. Format dhe mënyrat se si mund të ndalësh njeriun e gabuar, janë me dhjetra.
Ka 32 vjet, dhe ka shkatërruar 3 breza shqiptarësh me politikën, zërin, britmat, veprimet dhe bëmat e tij, duke shuar shpresën tek rinia. Ai është sot megafoni i të keqes, edhe kur shikon se si e mira po e mbyt. Ai është sot ideatori dhe nxitësi i grupimeve që shkelin dhe “vrasin” ligjin dhe shtetin, ai është përçuesi i negativitetit tek ata, që kanë ende shpresë se ky vend bëhet. Ai “helmon” të rinjtë, pensionistët, fermerët dhe foshnjat me gjuhën e tij, me veprimet, ulurimet dhe paralajmërimet se “këtu në rast se nuk ikën Edi Rama do të bëhet hataja”.
Ky është shansi i fundit, për ti dhënë shqiptarëve, se ky vend bëhet me punë dhe jo propogandë dhe parazitë, është shansi i fundit për të nxitur dhe promovuar tek rinia resurset, begatinë, dhe të ardhmen europiane të Shqipërisë. Ndryshe, këtu do të mbeten vetëm hijet e Saliut, mbështetësit dhe dallkaukët që presin që një ditë, edhe ai do të ndëshkohet nga Zoti, dhe jo drejtësia…