Fjala toksik do të thotë helmues. Të gjithë kemi dëgjuar fjalën „lëndë toksike, material toksik“ etj. Në psikologji, kjo fjalë përdoret për tipat e ligj, të helmuar, shpirtërisht dhe psikikisht.
Në jetën bashkëshortore apo partneritet, nëse njëri është tip toksik, me siguri helmohet lidhja. Toksiku mund të jetë burri ose gruaja. Testimet dhe studimet psikologjike tregojnë se, në një përqindje shumë më të madhe, janë burrat. Kjo është më e theksuar në kulturat patriarkale.
Në një lidhje toksike, është e pamundur që të ndihesh i lumtur. Partneri toksik thith gjithë energjinë dhe vitalitetin e tjetrit, çka ia shuan personalitetin dhe identitetin e vet. E shndërron në një dykëmbësh lëvizës, pa vetbesim, pa ëndrra, pa qëllime. Të gjitha zhgënjimet, frikën dhe dështimet, ia kalon tjetrit. Ai gjithmonë dhe gjithkund, është në vendin e parë. Tjetri, për atë, është një shtojcë, një frymëmarrës nga gurmazi i tij.
Ndodh që, sjelljet dhe veprimet e tilla helmuese të njërit nga patnerët apo bahskëshortët, kalojnë për një kohë të gjatë, pa u vënë re nga tjetri. Kjo edhe për faktin se, nuk duan ta besojnë që njeriu më i dashur, me të cilin jetojnë, mund të bëjë një diçka të tillë me qëllim. Kjo sjell reagimin e vonuar, atëherë kur gjithçka është prishur dhe çdo ndihmë është me vonesë.
A mund të njihet personi toksik? Nëse po, si?
Psikologët thonë se, personi toksik mund të njihet, madje shumë shpejt. Ai shfaq simptomat e veta, nga të cilat më kryesoret janë:
1. E bllokon zhvillimin tënd.
Ai nuk dëshiron që ti të kryesh një studim, të vazhdosh një shkollë apo profesion. E refuzon formimin tënd të mëtejshëm intelektual. Të ndalon frekuentimin e një koncerti, takimi intelektualësh, pjesëmarrjen në një festë. Çdoherë që ti i paraqet ndonjë ide apo program për zhvillimin tënd, ai të refuzon dhe organizon gjithçka që ti të dështosh. Sajon arsye të ndryshme që ti të mos e realizosh dot pasionin tënd. Ai ka frikë se, nëse ti ia kalon, mbetet pas teje, ndoshta edhe e braktis atë.
2. Të dikton si, dhe çfarë duhet të veshësh.
Në raste të tilla, nuk është e lehtë të dallohet përkujdesja me ligësinë. Nëse ti, për një rast të veçantë, vesh një fustan që nuk shkon, dhe ai të bën vërejtje, nuk duhet t’a mendosh rast toksik. Ndoshta ai ka menduar mirë.
Nëse ai të kritikon vazhdimisht për veshjen, deri në grindje, të gjurmon nga pas kur ti ke ndërmend të blesh diçka për veten tënde dhe mundohet të të diktojë çfarë dhe si duhet të jetë ajo që ti blen, duhet t’i hapësh mirë, sytë dhe veshët.
3. Të fajëson ty gjithmonë.
Partneri toksik është si vampir. Nëse nuk ta thith gjakun, t‘i merr të gjitha energjitë.
Ai thotë vetëm ato gjëra për të cilat mendon se ti do të ndihesh fajtore. Për gjithçka të keqe që ndodh, dhe në çdo rast, ai e drejton gishtin tek ti. Nuk thotë kurrë „unë“ apo „ne“. Nëse zemërohet dhe bërtet, kjo do të thotë se, ti ke gabuar diku. Nëse tregohet agresiv, ti ke gabuar.
Në raste grindjesh, kurrë nuk i pranon gabimet e veta. Nuk e pranon kurrë tavolinën e bisedimeve, për ballafaqim me të vërtetën. Qëllimi i tij është, që të të bëjë ty sa më të vogël. Të të shndërrojë në një mekanizëm levzës pa sy, pa veshë, pa gojë.
4. Të gjurmon dhe të kontrollon.
Ai të sulmon në të gjithë sferën tënde private. Të kontrollon telefonin e dorës, mesazhet që merr dhe dërgon, personat me të cilët komunikon. Nuk ndalet këtu. Të kontrollon çantën e dorës, sirtaret, xhepat e rrobave.
Nëse ti shkon në mbrëmje me kolegët e punës apo në ndonjë festë, ai të gjurmon dhe shtyp hundën në xhamat e dritareve nga jashtë, duke të shikuar ty, me cilin dhe me cilën je. Para se të dalësh nga shtëpia, të bombardon me pyetje kontrolluese: Ku po shkon, kë do të takosh, pse po shkon, kur kthehesh, dhe gjatë gjithë kohës nuk ta ndan telefonin.
Ai vazhdimisht kërkon një shkak real, apo të sajur nga vet ai, për t’u grindur. Ai nuk të beson dhe mendon se ti e mashtron. Meqënse nuk ta beson asnjë fjalë, ushtron kontroll të vazhdueshëm mbi ty, kudo, në gjithçka dhe për gjithçka.
5. Përpiqet për sa më shumë pushtet mbi ty.
Tipi toksik e merr rolin e padronit në jetën bashkëshortore. Kjo do të thotë që, mendimet e tua nuk i merr fare në konsideratë, ose të gjitha i interpreton sipas mendimit dhe dëshirës së vet. Ta vret gojën, t’i verbon sytë dhe, t‘i shurdhon veshët. Nuk tregon asnjë interes për ndjenjat dhe interesat e tua. Ai gjithjë përpiqet që të bëhet sa më i pushtetshëm mbi ty.
Nëse ti, gradualisht pajtohesh me sjelljet e tij, një ditë edhe ti përjeton sindromën e bretkosës së zier. Të ka shndërruar në një askush, dhe ti e pranon se je vërtetë askushi.
6. Të bën të varur nga kuleta e vet.
Ai vendos që paratë do të përdoren vetëm për gjëra të rëndësishme. Me gjëra të rëndësishme ai mendon vetëm dëshirat dhe prioritetet e veta. Dëshirat dhe prioritetet e tua, i injoron komplet. Ai kontrollon çdo cent në kuletën tënde, dhe të gjitha blerjet që ti bën. Edhe nëse ti punon, nuk të lejon që ta kontrollosh llogarinë tënde bankare. Çdo cent duhet të kalojë vetëm nga dora e tij.
7. I njoron sukseset e tua.
Për partenrin toksik, tjetri nuk meriton kurrë të lavdërohet. Nëse vlerësohesh në punë, kualifikohesh, mbaron një studim apo specializim, nuk të vlerëson dhe as nuk të uron. Asnjë arritje e jotja, nuk e gëzon dhe nuk e mrekullon atë. Ai koncetrohet vetëm në gabimet dhe dështimet e tua. Në familje apo rrethin shoqëror, ai gjithmonë të ironizon, të bën objek talljeje, duke theksuar vetëm defektet dhe gabimet tua.
8. Manipulon të tjerët kundër teje.
Tipit toksik, për t’u bërë sa më i pushtetshëm mbi ty, i duhet solidariteti i të tjerëve. Për këtë, ai mundohet që t’i manipulojë të tjerët kundër teje. Fillon me fëmijët, vazhdon me rrethin familjar, dhe nuk ndalet. Në çdo rast feste apo gëzimesh në familje dhe kolektiv, ai hiqet si mikpritësi dhe organizatori i gjithçkaje që shkon mirë. Nëse diçka shkon keq, fajtori je ti.
Tipi toksik, pavarësisht nëse i ka të lindura apo të fituara në jetë sjelljet e tij, është i pamjekueshëm dhe i pakorrigjueshëm. Nëse ai shfaq shenjat e mësipërme, dhe ti e kupton se të gjitha reagimet e tua nuk kanë asnjë efekt, duhet të mendosh shkëputjen prej tij. Dhe sa më shpejt, aq më mirë.