Partia Demokratike duket se e sheh Bashkinë e Tiranës si mundësi punësimi për të gjithë militantët dhe simpatizantët e saj. Në një lidhje direkte në emisionin ‘Open’, dje në mbrëmje në Neës 24, kandidati i primareve në PD për Bashkinë e Tiranës, Belind Këlliçi ka shokuar me deklaratën se PD ka njerëz pa punë, prandaj u duhet administrate e Bashkisë së Tiranës.
“Fitoren e marrin demokratët që janë papunë, kanë 10 vjet, janë në opozitë. Kjo duhet të shqetësonte”, deklaroi Këlliçi.
Në këtë moment, ka ndërhyrë drejtuesja e emisionit, Eni Vasili, e cila e çuditur për qasjen e Këlliçit, tha se PD kështu po kërkon të marrë bashkitë për të futur njerëzit e tyre në punë.
“Nuk e lë dot këtë mesazh të kalojë kështu, këtë që demokratët janë papunë dhe prandaj duhet të fitojmë bashkitë, që të hyjnë në punë. Se kjo lloj politike na ka sjellë këtu. Ju po thoni që administrata e bashkive duhet të ndryshojë sa herë të ndryshojë politika. Unë mendoj se duhet të marrë fund kjo tani, që jeni të papunë, dhe ne do vijmë në pushtet që t’ju fusim në punë. Jo të shërbejnë si zyra pune, të paktën mos e thoni kaq publikisht”, tha Vasili.