Gjithë gushtin, si asnjëherë më parë, Sali Berisha dhe Ilir Meta, bashkë me deputetët që i ndjekin pas, nga një muaj pushimi, e kthyen në një muaji aksioni, duke pompuar opinionin publik, se në shtator do të bënin namin.

Nuk kishte ditë, që Berisha dhe Meta të mos dilnin në konferenca shtypi, madje dhe nga dy apo tre herë në ditë, për të thënë se në shtator do ta merrnin para Edi Ramën.

I yshtën aq shumë ndjekësit e tyre, sa shumë prej tyre u bindën vërtet se kishte ardhur më në fund koha e së vërtetës, se tani nuk është më Luli në krye të opozitës, por dy politikanë të vërtetë si Sali Berisha dhe Ilir Meta, të cilët do këtë radhë do i tregonin vendin Edi Ramës.

Por shtatori erdhi shumë shpejt dhe nuk ndodhi asgjë, edhe pse Berisha e Meta ishin përbetuar për të kundërtën.

Kur i pyesnin gazetarët se ku i kanë protestat e premtuara, justifikoheshin se ata ishin pas çdo proteste të pakënaqurish.

Kështu vazhdoi edhe tetori, ndërsa e vetmja protestë e vërtetë e organizuar nga opozita ishte ajo e Ilir Meta tek varrezat e Sharrës.

Atë që nuk e bënë në shtator e tetor, më në fund thanë se do e bënin në 12 nëntor.

Edi Paloka doli publikisht e tha se po mendonin seriozisht që të merrnin edhe Kryeministrinë.

Dhe duke parë rrëmujat që Berisha ka pas bërë në protestat e viteve më parë, kur drejtonte opozitën, pati shumë nga ata që e besuan vërtet.

Madje edhe mediat në shumica, nxirrnin përditë militant të cilët i paraqisnin si qytetarë të thjeshtë, për të treguar se zemërimi ndaj Edi Ramës ka arritur aty ku nuk mban më dhe më 12 nëntor do e përzinin me se s’bën.

Ndaj mezi e prisnin 12 nëntorin.

Dhe 12 nëntori erdhi.

Sollën njerëz nga çdo qytet i Shqipërisë, për të mbushur Bulevardin.

Për ta mbushur kohën, meqë kishin marrë leje për më shumë se katër orë protestë, nuk lanë njerëzi pa nxjerrë në foltore për të folur.

Dhe në fund, folën ata të dy, Ilir Meta dhe Sali Berisha.
Ndërsa i pari nuk nxiti asnjë entuziasëm dhe nuk kishte asnjë mesazh të qenësishëm politik, i dyti dukej më i qartë, duke thënë se do të ketë stabilitet në vend, nëse Edi Rama vjedh sërish votat. Që nënkupton, nëse Rama fiton sërish zgjedhjet.

Pas fjalimit, të dy nxituan të ikin në shtëpi, pa thënë asnjë fjalë se çfarë do të bëhet më tej.

Të nesërmen, në selitë e tyre kishte pllakosur një heshtje varri, jo sikur kishin mbajtur një “protestë historike”, siç e propaganduan, por sikur kishte ndonjë vaki.

Edhe këtë herë, ata i mashtruan ndjekësit e tyre, duke u thënë se do të rrëzonin Ramën dhe pastaj ikën duke i lënë vetëm në shesh.

Dhe çfarë është më e keqja, duket se edhe ata vetë nuk e dinë se çfarë do të bëjnë dhe si do të vijojë beteja e tyre.

E vetmja gjë që dinë dhe thonë, është që Edi Rama është hajdut, kriminel, i korruptuar etj etj, por nuk dinë të thonë se si do ta largojnë dhe çfarë strategjie kanë për të ardhur në pushtet.

Aq sa kishin dëshpëruar dhe vetë Fatos Lubonjën, i cili i zhgënjyer, deklaroi menjëherë pas protestës se Edi Rama nuk largohet as me protesta paqësore e as me votë, duke lënë të kuptohet se ai rrëzohet vetëm me dhunë.

Vetëm se aq pak sa kanë mbetur, vështirë se e çojnë në mëndje.

Ndaj, duket se strategjia e tyre e vetme është, ta shtyjmë si ta shtyjmë, me gënjeshtrën dhe protestën e ardhshme.

TemA