Spartak Ngjela thotë se nuk pret asgjë nga protesta e opozitës me 12 nëntor.
Ai thotë se opozita duhet të jetë konkuruese përballë mazhorancës me program dhe këtë gjë thotë se nuk e sheh.
“Çfarë do bëjnë? Do protestojnë dhe ikin në shtëpi. Opozita që nuk ka doktrinë nuk vlen, çfarë më duhet mua se del në revoltë.
Unë të pyes çfarë do të bësh po të vish në pushtet, ke dëgjuar ndonjë gjë nga ata? Ata janë hupja, shupja, dupja. Nuk kanë vlerë intelekti.
Nuk kanë forcë politike, nuk kanë arsye politike dhe nuk kanë doktrinë për zhvillimin e vendit. Saliun dëgjoni? Fatkeqësi kombëtare. Ka forcë të bëjë revolucion? Ja dogji ato, nuk luan për Shqipërinë, thonë ndërkombëtarët.
Këtu duhet të flitet për programe, revolucioni është pemë pa kokrra, është kot. Të vish në pushtet duhen vota, me këto që bëjnë këta nuk krijojnë dot personalitetin e votes”, tha ai.
Ngjela foli dhe për largimin e shqiptarëve drejt Anglisë.
Ai tha se shifra 12 mijë, që përmendet nga mediat britanike, nuk është e madhe.
“Nuk është shifër e madhe. E konsideroj sukses atë, si me gomone si pa gomone. Unë jam për këtë largim se ai na ka mbajtur gjallë. Sjellin mbi 3 milion euro këtu, ajo na mban.
Politika në vitet ’92-’96 shkatërroi 500 fabrika në Shqipëri, nuk ka prodhim. Ata na kanë mbajtur gjallë dhe bravo u qoftë!
Nuk ka pasur ndonjëherë emigracion të ligjshëm nga Shqipëria, të gjithë e kanë marrë me forcë. Kanë ikur me anije, me të gjitha, ata na kanë mbajtur. Po të mos jenë ata, këtu ha njeriu njerinë”, tha Ngjela.