Në takimin e nivelit të lartë të pikave të kontaktit për qëndrueshmërinë (Resilience) që u mbajt sot në Bruksel, me përfaqësues të vendeve aleate të NATO-s, mori pjesë edhe Shqipëria, përfaqësuar nga ministrja për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali.
Spiropali u takua dhe me Sekretarin e Përgjithshëm, Jens Stoltenberg.
Ministrja Spiropali bëri të ditur në rrjetet sociale se në takim kishte theksuar rastin e vendit tonë që u përball me sulmet kibernetike të Iranit.
“Lufta e Putinit në Ukrainë por edhe rreziqet e tjera globale, e kanë kthyer në urgjente shkëmbimin e praktikave më të mira të shteteve për të rezistuar, rikuperuar dhe vazhduar ofrimin e shërbimeve qeveritare në kohë krize, paqeje dhe lufte. Evidentova rastin e vendit tonë që u përball me sulmet kibernetike të Iranit dhe theksova gatishmërinë për të pasur një qasje më të fuqishme, të integruar dhe koherente të qëndrueshmërisë në nivel kombëtar dhe si pjesë e Aleancës”, u shpreh ministrja Spiropali.